106 plumba janë zbrazur në drejtim të dy të rinjve që i shpëtuan atentatin mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Si pasojë e ngjarjes së rëndë, mbeti i plagosur efektivi i policisë Gjergj Ndërshtiqaj, si dhe kunati i tij Gjon Nika. Fatmirësisht të dy personat e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën, edhe pse janë prekur secili me nga dy plumba në trup. Ata i kanë shpëtuar për mrekulli atentatit me 106 plumba, që u zbrazën nga disa karikatorë automatiku.
3 automatikë kallashnikovë janë gjetur në mjetin e djegur menjëherë pas ngjarjes, ndërkohë që autorët edhe njëherë tjetër kanë mundur që të largohen pa u kapur. Burime bëjnë me dije se dy prej automatikëve që janë përdorur në ngjarje janë gjetur në pjesën e sediljeve të pasme të makinës, dhe një armë e tretë në bagazh, e cila dyshohet të jetë mbajtur si rezervë. Pavarësisht kqyrjes së dhjetra kamerave të sigurisë, grupi hetimor nuk ka arritur ende në një konkluzion për identifikimin e autorëve. Po ashtu mbetet e paqartë nëse ata kanë dalë nga makina, apo kanë qëlluar me breshëri nga brenda mjetit.
Po ashtu mësohet se efektivi i policisë Gjergj Ndërshtiqaj ka patur armën e shërbimit me vete, por nuk e ka përdorur pasi nuk ka arritur që të kundërpërgjigjet. Dy të rinjtë u qëlluan menjëherë sapo dolën nga makina e tyre, e cila shpërtheu në flakë si pasojë e plumbave të shumtë që u lëshuan nga autorët. Polici dhe kunati i tij iu shpëtuan një pjese të mirë të plumbave duke u fshehur pas makinës, ndërkohë që një person i tretë që ishte me ta, ka mundur që të fshihet në një fushë pranë vendit të ngjarjes, duke përfituar nga errësira.
Autorët me një automjet fouristradë pa targa dyshohet se i ndoqën të plagosurit nga mbrapa dhe sapo ata ndaluan në afërsi të një lokali i qëlluan me breshëri. Të dëmtuarit janë shprehur pasi janë marrë në pyetje se nuk kanë arritur që të shohin se kush ishin autorët, për shkak se dinamika e ngjarjes ka qenë shumë e shpejtë. Ata kanë mohuat që të kenë pasur konflkte të mëparshme që të çonin në këtë ngjarje të rëndë.
“Sapo zbritëm nga makina dëgjuam të shtëna armësh. Nuk kemi arritur që të shohim se kush ishin ata që na qëlluan me armë. Nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe nuk e dimë arsyen përse na qëlluan. Në momentin kur nisën të shtënat kemi lëvizur me shpejtësi duke u munduar të shpëtojmë. Derisa janë larguar qëndruam pas makinës”, janë shprehur të plagosurit.