
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe ata të Rithemelimit do të ulen sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të vendoset kalendati i punimeve trejavore të Kuvendit. Në axhendë pritet që të përfshihen dhe dy komisionet hetimore parlamentare që janë kërkuar nga demokratët. Pas disa ditës negociatash, mes Bledi Çuçit dhe Gazment Bardhit, Rithemelimi do të bëjë hapa pas nga strategjia për të bllokuar seancat, një taktikë që vijonte nga Tetori i vitt të kaluar. Tashmë demokratët e Rithemelimit, duket se do të marrin ok për dy nga kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve parlamentare, nga 8 që kishin kërkuar gjithsej.
Deri tani nuk dihet ende se cila nga kërkesat për komisionet do të ridorëzohet në Kuvend. Ndërkohë që mbetet ende pezull kërkesa e Rithemelimit për të ndryshuar përbërjen e Komisionit për Reformën Zgjedhorere. Socialistët parimisht nuk kanë pranuar që të ndryshojnë Komisionin, duke njohur momentalisht si bashkëkryetar Enkelejd Alibeaj, ndërkohë që qëndrimi që do të mbajë grupi i Bardhit në këtë pikë nuk dihet ende.
Kryeministri Edi Rama e bëri të qartë dhe në fundjavë , gjatë takimit që pati me kryebashkiakët në Shkodër, që nuk do ta zgjasin më tej mandatin e këtij komisioni, por do të tentojnë të kenë një produkt që të marrë konsensusin në sallën e seancave plenare, nëse jo deklaroi ai, do të shkohet në zgjedhje me ligjin aktual elektoral.
Gjithsesi ajo që tashmë duket se është përfundimtare, është rikthimi i normalitetit nga ana e opozitës që në seancën e 21 Marsit. Ndryshimi i qasjes erdhi edhe si kontribut i faktorit ndërkombëtar, të cilët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për gjetjen e një marrëveshjeje. Ambasadori i BE-së në Tiranë foli për qëndrimin që ka zyra e tij lidhur me përfaqësimin në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv dhe të reflektojë realitet politike në vend”, tha Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Tiranë.
Ndërsa i ngarkuari me punë në selinë diplomatike amerikane u informua për rikthimin e normalitetit në parlament nga kryeparlamentrja Nikolla. Siç njofton zyra e kryeparlamentares, Ëisner ka shprehur vlerësimin e tij pasi Parlamenti ka deklaruar ai është shumë i rëndësishëm për sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe ardhmes së vendit.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të mbahet sot në mesditë, ndërsa nuk dihet ende se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të Lulzim Bashës, të cilët kanë hedhur akuza për pazar mes socialistëve dhe grupit të Rithemelimit.