Vrasja e Pëllumb Metës mbetet ende një nga ngjarjet kriminale të pazbardhura dhe të mbuluara me “mister” që pritet të marrë fund pas “zbërthimit” të katër anëtarëve të familjes Meta, që sipas Policisë dyshohet se janë përfshirë në krim. Këtë të hënë grupi hetimor ka dërguar në poligon, Hygerta Metën, vajzën që ka marrë përsipër krimin, djemtë e Pëllumb Metës, Amarildon dhe Hysenin, si dhe bashkëshorten e të ndjerit, Blerinën.
Hetuesit u kanë kërkuar që të qëllojnë me armë për të parë nëse dinë të kryejnë qitje. Nga ky eksperimet me “sukses” ka dalë vetëm Hygerta. Ndërsa Hyseni, Amarildo dhe Blerina kanë refuzuar të qëllojnë.
Një detaj i ri është fakti se në armën e krimit janë gjetur dhe shenjat e gishtërinjve të Amarildos, djalit të vogël të Pëllumbit.
Nisur nga kjo pritet që Prokuroria e Durrësit të ngrejë mbi Amarildon akuzën e vrasjes.
Por djali shprehet se armën e ka prekur pas krimit dhe se nuk ka qëlluar ai mbi babanë. Hygerta është dërguar në kasollën ku u gjet i varrosur Pëllumb Meta për të gërmuar dhe njëherë gropën, që hetuesit të kuptojnë nëse ajo mund ta bëjë e vetme, por përsa i përket dinamikës së ngjarjes, ajo ka “kyçur” gojën dhe ka refuzuar të flasë.