Këta që shihni në këto foto janë Hekuran Troplini, 20 vjeç dhe Emiljano Pasha, 19 vjeç.
Fotografitë me kallashnikov në dorë shërbenin si reklamë që dy të rinjtë përdornin për të bindur personat e interesuar për të blerë armë duke i siguruar për kushtet teknike të armës dhe cilësisë së tyre. Çmimi i njërës prej tyre varionte nga 800 deri në 1000 euro.
Ajo që i specifikon këta të rinj të cilët u arrestuan një ditë me parë nga policia e Durrësit pasi dyshohet se furnizonin me armë dhe municion grupet kriminale në këtë zonë është kujdesja deri në detaje që të mos binin në rrjetën e policisë.
Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se armët të cilat i tregtonin, ata nuk i preknin kurrë pa mbulesë ose pa doreza në mënyrë që të mos linin gjurmë të gishtave të tyre në to. Të njëjtin kujdes tregonin edhe gjatë momentit kur çonin armën e porositur tek personi i interesuar.
Armës i hiqnin shulin dhe fshihnin në pjesë të vjetra makinash më mënyrë që edhe nëse do të kapeshin nga policia ekspertiza të mos e nxirrte armën e rregullt e në këtë mënyrë të mos arrestoheshin për armëmbajtje. Pjesa e hequr e armës i dërgohej në një moment tjetër personit që kishte blerë armën.
Policia e Durrësit ka dyshime se Hekuran Troplini dhe Emiliano Pasha nuk vepronin vetëm por ishin pjesë e një grupi për antarët e të cilit po thellohen hetimet dhe pritet që në ditët në vijim të ketë të tjera arrestime.
Ky grup përdorte si bazë shtëpi të braktisura ose të emigrantëve ku magazinonin armët. Gjatë operacionit të fundit policia sekuestroi 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, ndërkohë që ka informacion edhe për një bazë tjetër armësh të po këtij grupi që pritet të goditet së shpejti nga policia.