Aktorja Elia Zaharia ka reaguar për herë të parë, disa ditë pasi në media doli videoja e saj, e cila zbuloi përplasjen e saj me Princ Lekën II. Reagimin e saj të parë e ka bërë në rrjetin e saj social “Facebook”, duke e nisur me një falenderim për të gjithë mbështetjen që ka marrë, duke u shprehur se ka kaluar ditë të vështira. Pasi falenderon të gjithë ata që i kanë shkruar dhe i kanë ndenjur pranë, nuk harron kolegët e saj, të cilët kanë firmosur një peticion për fshirjen e videos së saj nga të gjitha mediat.
Elia Zaharia: Miq dhe dashamirës, ndjej dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen dhe kurajon që më keni dhënë përgjatë këtyre ditëve kaq shqetësuese për mua dhe familjen time! U jam falenderuese të gjithë atyre që u ulën dhe më shkruan fjalë zemre, atyre që kuptuan dhe ndjenë dhimbjen time! Artistë të shquar e të nderuar të vendit tim, nga brezat që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë e që janë një pasuri kombëtare, deri te brezat e rinj të artit e kulturës në vend, u bashkuan në një peticion sensibilizues në mbështetje të një dinjiteti njerëzor! Ju jam përulësisht mirënjohëse, deri në lot!
Princ Leka dhe Elia Zaharia pak muaj më parë zyrtarizuan procedurat e divorcit, ndërsa së fundi ata ishin protagonist të një konflikti fizik mes tyre. Dyshohet se shkak për agravimin e situatës është pikërisht ndarja e pronave pas divorcit, pasi aktualisht Elia dhe vajza e saj janë duke jetuar në pallatin mbretëror. Ndërkohë që të dy u pajisën me urdhër mbrojtje nga Gjykata e Tiranës, dhe e kanë të ndaluar që ti afrohen njëri tjetrit më pak se 5 metra.