Për të rënë në gjurmët e bazës së armatimeve që fshihej në Shkallnur të Durrësit, policia ka ngritur një kurth për dy të rinjtë, tashmë të arrestuar. Një efektiv policie ka organizuar një blerje të simuluar të armëve. Emiljano Pasho dhe Hekuran Troplini kanë rënë dakord për orën dhe vendin ku do të takoheshin për të shitur armën. Në momentin e shkëmbimit është bërë ndërhyrja për arrestimin e dy të rinjve.
Aktiviteti kriminal po hetohej prej muajsh në rrugë operative nga autoritetet ndërsa sot u finalizua me 2 arrestime. Policia dyshon se gjatë muajve të fundit Pasho dhe Troplini kanë furnizuar me armë dhe municione grupe kriminale. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen, 63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa. Sakaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.