Ergis Metaj është dënuar me burg në Irlandë, pasi u kap me drogë që vlente 13 mijë euro.
Mediat e huaja raportojnë se ai ishte pjesë e një bande shqiptare e cila kishte paketuar drogën dhe e kishin nisur me postë, por në momentin që 23 vjeçari e mori, u kap në flagrancë.
Metaj kishte mbërritur një vit më parë në Irlandë me bashkëshorten e tij, ku kanë kërkuar azil, duke përdorur një pasaportë greke të falsifikuar. Aktualisht e shoqja ndodhet në strehimin e refugjatëve në Sligo, së bashku me fëmijën e tyre 8 muajsh.
Metaj u deklarua fajtor për posedimin e kanabisit me vlerë mbi 13,000 euro për qëllime shitjeje, edhe pse në fillim ai mohoi të kishte lidhje me drogë. Ai tha se kishte dalë për të marrë një kuti postare, që pretendonte se ishte një televizor. Por këto u hodhën poshtë nga hetuesit.
Më tej ai rrëfeu se në fillimet e tij në Irlandë, kishte punuar si lavazhier, por i duheshin para, pasi kishte marrë 15 mijë euro borxh për t’u larguar nga Shqipëria drejt Irlandës.