Tre akuza ka ngritur prokuroria e Fierit për shpërthimin e ndodhur në Lushnjë, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën 7 të tjerë, përfshirë deputetin socialist Bujar Çela. Prokuroria ka referuar materialet në Gjykatë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” atë të “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia” si dhe “ndërtimit të paligjshëm”.
Nga hetimet e kryera deri më tani si dhe dëshmitë e mbledhura, hetuesit dyshojnë se shpërthimi u shkaktua nga një avari që mendohet se ndodhi gjatë procesit të punës që po kryente viktima Roland Hoxha gjatë prerjes së disa profileve prej hekuri.
Si pasojë, njëra prej bombulave, e cila dyshohet të ketë qenë me përmbajtje gazi acetilen, shpërtheu duke shkaktuar humbjen e jetëve të Roland Hoxhës dhe djalit të tij, Elidonit si dhe shumë dëme materiale në banesa dhe biznese rreth zonës.
Po nga hetimet u zbulua gjithashtu se në magazinën në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela, po kryheshin ndërtime pa leje. Sipas dëshmive dhe materialeve të grumbulluara rezultoi se Bashkia Lushnjë në muajin shtator 2023 I kishte miratuar një lejë ndërtimore për objekt një kat deputetit me afat 1 vjeçar.
Por pas aktit të konstatimit, nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit rezultoi se leja ishte tejkaluar. Po ashtu në dëshmitë e dhëna, autoritet e bashkisë pohuan se nuk kishin dijeni për punimet që po kryheshin në magazinë kjo për faktin se dhe sistemi që nxjerr lejet në këtë institucion vendor prej disa kohësh nuk punon. Nga shpërthimi I ndodhur më datë 1 mars humbën jetën Roland dhe Elidon Hoxha, babë e birë, ndërsa u plagosën 7 të tjerë.