Kur kanë kaluar 3 ditë nga shpërthimi në Lushnje, në një magazinë në ndërtim, ku humbën jetën babë e bir, ende sot nuk kemi një version zyrtar nga policia dhe prokuroria në lidhje me hetimet. Objekti në fjalë i cili po ndërtohej, do të shërbente si një pikë magazinimi për Coca Cola, bëjnë me dije burimet për Gazetën, ndërsa ka qenë pikërisht në pronësi të deputetit socialist Bujar Çela.
Ky i fundit mbeti dhe vetë i plagosur ditën e shpërthimit, ndërkohë që një sërë pikëpyetjesh ngihen në lidhje me shkaqet e shpërthimit, dhe kushtet e sigurisë në punë. Burime konfidenciale i thanë Gazetës se leja për ndërtimin e kësaj magazine nuk është dhënë për deputetin Çela, por për një person të afërt me të, ndërkohë që nënkontraktor i punimeve ka qenë nënkryetari aktual i bashkisë Lushnje, Elton Korreshi. Vetë Bujar Çela do të merret në pyetje, në lidhje me shkaqet e shpërthimit, me pasoja tragjike për familjen Hoxha.
Deri tani, jozyrtarisht mësohet se hetimet janë të fokusuara në tre vepra penale, të cilat janë shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë, shkelje të lejes pasi subjekti ka dalë nga përcaktimet e lejes si dhe shkatërrim prone nga pakujdesia. Ndryshe nga sa u tha fillimisht se shpërthimi ndodhi për shkak të kontaktit të vinçit me telat e tensionit të lartë, dyshimet janë se ngjarjen e një përmase të tillë e shkaktoi rrëzimi në tokë i bombulës së oksigjenit.
Herimet aktualisht janë ende duke u kryer nga policia e Lushnjes, dhe gjatë ditës së sotme, në terren pritet që të dalin dhe ekspertë që të verifikojnë kushtet e sigurisë në punë.
Avokati Gylsen Zhllima është shprehur se administratori ose drejtuesi teknik i fabrikës ku ndodhi shpërthimi me 2 viktima dhe disa të plagosur në Lushnjë, mund të dënohen nga 5-35 vite burg. Ai tha se ata mund të dënohen për shkeljen e sigurisë në punë, me pasojë vdekjen e më shumë se një personi. Sipas Zhllimës, megjithëse maksimumi i dënimit është 35 vite burg, zakonisht këto raste nuk kanë shkuar në dënime më shumë se 7 vite.
“Shkelja e rregullave në punë që nënkupton që kur ka shkaktimin e vdekjes së një personi dhe dëmtime për persona të tjerë të plagosur. Për shkak se këtu kemi persona që kanë humbur jetën dhe persona të plagosur po nga e njëjta vepër penale, do të thotë që dënimi është jo më pak se 5 vite, por në maksimum shkon në 35 vite.
Kjo është për administratorin dhe personin përgjegjës. Në rast ke ka drejtues teknik, atëherë është për drejtuesin teknik. Ata mbajnë përgjegjësi penale. Pas 2017 dënojmë edhe subjektin juridik. Pra 3 persona. Duhet të kemi parasysh që këto raste zakonisht shkojnë nga 7 vite e poshtë. Te ky rast duhet të shihet edhe roli që kishte deputeti aty”, tha Zhllima në Euronews.