E djeshmja e 20 shkurtit ngriti dhe një herë demokratët në protestë, duke sjellë dhe një herë në mendje rrëzimin e bustit të diktatorit 33 vite më parë. Një datë e zgjedhur jo rastësisht ajo e djeshmja me qëllimin sipas tyre të luftojnë sërish kundër një diktature.
Motoja “O sot, o kurrë” ishte ajo që u shpalos para Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër qeverisë “Rama”.
Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti fjalim nga shtëpia për protestuesit, duke pasur një lidhje direkte nëpërmjet videos.
Një fjalim i gjatë për një protestë të qetë dhe e cila nuk shkaktoi probleme, deri në përfundimin e fjalës së Berishës ku disa qytetarë hodhën tymuese dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë.
Disa trazira të cilat sollën shtimin e forcave të sigurisë si dhe shoqërimin e disa protestuesve në komisariat.