
Nisma për marrjen e punonjësve nga Azia, pas largimeve masive të forcës së punës vendase në emigracion nuk po funksionon. Janë të shumtë drejtuesit e kompanive prodhuese dhe ofrimit të shërbimeve që pohojnë se janë tërhequr nga marrja në punë e të huajve, nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend trampolinë për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së.
“Masa për marrjen e punonjësve të huaj nuk është zgjidhje afatgjatë, pasi shumica e tyre e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të shkuar në vendet e tjera të Europës. Problematika të tjera janë kostoja e lartë, por edhe kultura e tyre e punës, e ndryshme nga vendi ynë”, pohoi në podcastin “Business Plus Monitor”, Drini Zusi, koordinator i përgjithshëm i “Az Group”.
Por nuk është vetëm frika e braktisjes së vendit të punës që po sjell tërheqjen apo hezitimin e shumë kompanive shqiptare, që kanë nevojë të ngutshme për punonjës, të rekrutojnë aziatikët.
Kostoja e lartë e mbajtjes së tyre, duke filluar me pagesat neto mujore, akomodimi për fjetje dhe ushqim që minimalisht arrin deri 600 USD, nuk e justifikon rendimentin e punës që ofrojnë punëtorët e ardhur nga Bangladeshi apo Nepali.
Një nga kompanitë prodhuese të mobilieve vendase, muaj më parë, parashikonte të merrte 20 punonjës nga Bangladeshi. Dritan Cacaj, nga “Trin Mobileri”, tha se tashmë është tërhequr nga vendimi për punësimin e tyre, nga frika e largimit.
“Marrja në punë e shtetasve të huaj nga vendet e Indisë dhe më pas lënia e vendit të punës, për t’u larguar drejt një shteti të huaj që paguan më shumë është ndër problematikat kryesore të mosfunksionimit të kësaj mase. Në këtë situatë, jemi detyruar të vijojmë rritjen e pagave të punëtorëve vendas, pasi punësimi i tyre mbetet përparësi”, thotë ai.
Problematika e mprehtë për gjetjen e punonjësve të kualifikuar ndihet në shumë sektorë të ekonomisë dhe është shtrirë edhe te transporti i mallrave dhe udhëtarëve. Të gjesh shoferë kamioni apo transporti është një mision i pamundur, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon dhe Europë.
Në këto vështirësi është edhe kompania ndërkombëtare e transportit të mallrave “Balkan Trans Albania”, që parashikonte që vakuumin e burimeve njerëzore, kryesisht për shoferë kamioni, ta plotësonte me rekrutime të reja nga Egjipti.
Por edhe Rodolf Xhillari, Ceo i kompanisë, tha për “Monitor” se është tërhequr nga vendimi për punësimin e 10 egjiptianëve, pasi punëtorët e këtij shteti preferojnë më tepër të punësohen në shtetet e BE-së, ku paguhen më shumë, sesa në Shqipëri. Pasiguria për qëndrimin afatgjatë të të huajve në përputhje me kontratat e punës që duhen të jenë me afat dyvjeçar është arsyeja tjetër që kompania refuzoi të punësojë të huajt.
“Në sektorin e transportit të mallrave, 5-6 vite më parë, kompanitë arrinim të rekrutonin forcë punëtore të kualifikuar, por sot gjetja e këtij kontingjenti mbetet e vështirë. Punonjës të kualifikuar ka, por janë në moshë të madhe. Tregu i punës aktualisht ofron drejtues kamionësh të kualifikuar mbi 65 vjeç.
Kjo kategori zë 70% të ofertës së tregut. Kompanitë e sektorit të transportit e kanë tepër të vështirë të vijojnë aktivitetin me këta punonjës të cilët, nuk mund t’i dërgosh të kryejnë itinerare të gjatë udhëtimi me kamion. Pra rendimenti i punës së tyre është 50% më pak se ai i punonjësve të moshës së re”, thotë ai.
Nga punësimi i 30 grave nga Nepali është tërhequr edhe kompania “Doni Fruits”, që ka aktivitet grumbullimin dhe eksportin e fruta-perimeve në Lushnjë.
Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, më herët pohoi për “Monitor” se kompanitë vendase janë tërhequr nga vendimi për punësimet nga India dhe Filipinet.
Arsyet për mosmarrjen e tyre, sipas tij, ishin kostoja e lartë për paga neto 800 euro në muaj dhe 300 euro për akomodimin, si dhe problemi i tregut aziatik të punës për të ofruar punonjës të kualifikuar për përgatitjen e brumit dhe ëmbëlsirave.
Pse nuk po funksionon skema
Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore, vlerëson se mosfunksionimi i skemës erdhi nga parregullsitë që hasi zbatimi nga të dyja palët, si nga agjencitë e shteteve që ofrojnë punonjës të huaj, por edhe rekrutuesit shqiptarë.
“Që në momentin që ekonomia globale nuk e njeh modelin e punësimit të shtetasve nga vende në varfëri dhe pa rregulla, që punësohen po në shtete të varfra dhe me rregulla ‘gri’ siç është Shqipëria, skema nuk ka për të funksionuar”, pohon ai.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 18,151 persona, nga të cilët meshkuj 62,5% dhe femra 37,5%. Ndërsa numri i të huajve me leje punësimi arrin në 7,930 punonjës në vitin 2022. Të huajt me leje pune zënë 43% të totalit të shtetasve me leje qëndrimi.
Z, Pashaj tha se këto të dhëna tregojnë se forca e punës nga jashtë është e papërfillshme për tregun e punës në Shqipëri, dhe pritet që edhe gjatë vitit 2024 të vijojë të mbetet e tillë.
Krahasuar me 2021, numri i shtetasve me leje pune, sipas të dhënave nga INSTAT, është rritur me 11%. Për shtetasit e pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri, numri i tyre në 2022 ishte 22% më i lartë në raport më të punësuarit.
Sipas Pashaj, ku vendin kryesor e zënë ata me shtetësi Italinë (që nuk janë të angazhuar në punë të pakualifukuara, por kryesisht në biznese vetjake), Turke, të Kosovës, Egjipti, Filipine, Maqedonia e Veriut, Bangladeshi, Siria, etj.
P.sh, nga Egjipti deri në fund të vitit 2022, ishin me leje pune 395 persona. Ende forca e punës nga jashtë është e papërfillshme për tregun e punës në Shqipëri, dhe pritet që edhe përgjatë vitit 2024 të jetë e tillë.
Burimi: INSTAT
Rreth 4.1 mijë leje të reja në gjysmën e parë të 2023
Rreth 4,092 shtetas të huaj u pajisën me leje unike pune për muajt janar-qershor 2023 sipas të dhënave të marra në vendimin e miratuar nga qeveria “Për miratimin e Profilit të Zgjeruar Kombëtar të Migracionit për vitet 2019–2022”.
Pas zbatimit të ligjit “Për të huajt”, “leje unike” është leja e lëshuar nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, që lejon shtetasin e huaj të qëndrojë ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë për qëllime pune.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive ku referohet vendimi për vitin 2022 u dhanë 7,434 leje për punëmarrës nga 4,357 që ishin për 2021 (70% rritje).
Sa u takon lejeve unike të lëshuara në periudhën janar–qershor 2023, për punëmarrës janë 3,499 (që zenë 86% të totalit të lejeve unike), 170 (4%) për të vetëpunësuar dhe 158 (3.8%) për vullnetarë.
3,098 leje unike ishin për meshkuj dhe 994 për femra. Lidhur me aktivitetin ekonomik për të cilin janë lëshuar lejet, akomodimi dhe shërbimi ushqimor përbëjnë pjesën më të madhe me 14%, ndjekur nga industria përpunuese e tekstileve (11,2%) dhe industria përpunuese e produkteve ushqimore me 11,1%.
Për vitin 2022, qarku me fluksin më të madh të shtetasve të huaj të pajisur me leje dhe vërtetime pune ishte Tirana, me rreth 44% të lejeve të punës. Sipas shtetësisë, numrin më të lartë për lejet e punës e zënë turqit, pasuar nga italianët, pasuar nga kosovarët, pasuar nga kinezët.
Fasonët, të shqetësuar nga rënia e euros, largojnë filipinaset nga fabrikat
Fillimisht, trendi për punësimin e të huajve në Shqipëri nisi të zbatohet nga familjet e pasura. Ndër punonjëset e para që u punësuan prej tyre, vite më parë, si pastruese apo kujdestare fëmijësh, ishin filipinaset.
Ekspertët e kompanive të rekrutimit, por edhe bizneset dhe individët që kanë punësuar filipinas, vlerësojnë se punonjëset kanë shfaqur aftësi shumë herë më produktive dhe disiplinë të qëndrueshme pune krahasuar me punonjësit e huaj të shteteve të tjera aziatike.
Për këto arsye, një ndër kontraktorët e kompanisë fason “Albania Tricot” në qytetin e Shkodrës, që prodhonte veshje intimo të markës italiane “Cotonella”, punësoi vitin e kaluar 35 gra nga Filipinet. Kompania investoi edhe për ngritjen e një kapanoni ku ishin të strehuara punonjëset e huaja.
Për shkak të krizës nga rënia e euros dhe shtimit të kostos së mbajtjes së fuqisë punëtore pas rritjes së pagës minimale prej shtatorit 2023, fabrika “Albania Tricot” dhe nënkontraktorët e saj u zhvendosën në Uzbekistan.
Me mbylljen e aktivitetit në Shqipëri, kompania kontraktore vendase e prodhuesit të veshjeve intimo të markës “Cotonella” shkurtoi 150 të punësuarit, duke përfshirë edhe punonjëset e huaja. “Monitor” kontaktoi stafin e nënkontraktorit të kompanisë “Albania Tricot”, të cilët pohuan se 25 punonjëse nga Filipinet u punësuan pranë një rrobaqepësie italiane të veshjeve fason në Tiranë.
Kontrata për punësimin e tyre zgjat deri më 28 shkurt 2024. Pas përfundimit të kontratës, punonjëset nga Filipinet janë të detyruara të largohen drejt shtetit të tyre.
Për shkak të rënies së fitimeve nga zhvlerësimi i kursit të këmbimit të monedhave të huaja, në tërësi sektori fason e ka të pamundur të ruajë vendet e punës, si për vendasit, edhe për punëtorët e huaj, sipas kryetarit të Shoqatës Pro Eksport Albania, Edvin Prençe.
“Skema për punësimet e punonjësve të huaj, kryesisht gra në disa vende ka qenë shumë efikase, produktive dhe me kosto më të ulëta ose të barabarta me punonjësit shqiptarë, para periudhës kur sektori nuk kishte këto problematika.
Sot flitet për t’i mbijetuar kësaj dallge të madhe krize ekonomike, si e tillë, bizneset nuk e shohin dhe nuk e mendojnë prurjen e punonjësve të tjerë, por si ta mbajnë në punë e në lëvizje aktivitetin ekonomik, duke ruajtur vendet e punës aktuale”.
Për sa i përket shtimit të rekrutimeve të të huajve në këtë sektor, z. Prençe tha se nuk ka më prurje të reja, pasi edhe ato kompani që vijojnë aktivitetin, nuk e ndiejnë nevojën për punonjës të rinj.
“Pasiguria për të ardhmen e afërt i bën të mendohen dy herë, para se të aplikojnë për këta punonjës (pasi janë kontrata dyvjeçare dhe përgjegjësi se po i shpërngul nga vende të largëta)”, thekson ai.
Në 6-mujorin e parë të 2023, sipas të dhënave të Shoqatës Pro Eksport Albania, ndërmarrjet fason të veshjeve dhe të këpucëve punësuan 450 gra nga Nepali dhe Filipinet.
Drejtuesit e shoqatës thanë se vetëm 5% e të punësuarve u larguan, pasi nuk plotësonin pritshmëritë e bizneseve shqiptare për rendimentin e punës. Kostoja për punësimin e tyre, duke përfshirë vetëm pagesat mujore, arrinte në 450 USD në muaj.