
Raporti i mafies shqiptare me mafian amerikano latine, roli i “bosit” Dritan Gjika, zbulohet edhe bashkëpunëtori i tij
Rrjedhja e informacionit të klasifikuar nga një hetim për trafik droge, ku përfshihej mafia shqiptare, Danilo Carrera, kunati i ish-presidentit Guillermo Lasso, dhe miku i tij Rubén Cherres, shkaktoi një skandal në vend, në fund të vitit 2022. Në mënyrë të dyshimtë, Prokuroria e kishte mbyllur atë hetim në bazë të një raporti të Policisë. Megjithatë, ka dyshime nëse ndikimi politik ka vepruar në mënyrë që të pengojë hetimet.
Sipas mediave të huaja, në fillim të shkurtit 2024, autoritetet e Ekuadorit dhe Spanjës, nëpërmjet operacionit “La Pampa“, i dhanë një goditje mafies shqiptare, e cila vepronte në Ekuador dhe drejtohej nga Dritan Gjika.
E gjitha nisi në dhjetor 2022, kur Fernando Villavicencio, i cili në atë kohë ishte asambleist dhe kryesonte Frontin Parlamentar Kundër Korrupsionit (FPA), udhëhoqi përgatitjen e një raporti për të ashtuquajturin rasti “León de Troya“. Ai dokument dha një pasqyrë të parë mbi funksionimin e mafies shqiptare në Ekuador. Ai zbuloi disa emra që tani janë të përfshirë në çështjen “Pampa”. Për shembull, kompanitë Agricomtrade, Cannmaná dhe CarniProduccion janë përmendur tashmë në atë raport; si dhe Dritan Gjika, Rubén Cherres, Julio Lalangui dhe Jonnathan Landívar, të cilët tashmë janë aktorët kryesorë të çështjes së re nën hetim.
Villavicencio u vra në gusht 2023, kur ai po përpiqej të merrte Presidencën e Republikës. 6 muaj pas vdekjes së tij, autoritetet konfirmuan se, të paktën, pjesa e parë e hetimit të tyre ndaj mafies shqiptare ishte e vërtetë.
Rrjeti i biznesit shqiptar që preku qarqet e pushtetit ‘Fito’ dhe ‘Samir’
Krahas hetimit për kompanitë e përdorura nga shqiptarët, Villavicencio dhe FPA iu afruan edhe lidhjeve të mundshme kriminale të këtij grupi. Nëpërmjet intervistave me burime konfidenciale, sipas dokumentit, Fronti Parlamentar identifikoi një organizatë kriminale që vepronte në Guayaquil që drejtohej nga Adolfo Macías, i njohur ndryshe si ‘Fito‘ dhe Samir Maestre, i njohur ndryshe si ‘Samir. ‘Fito‘ është drejtuesi i Los Choneros dhe në fund të vitit 2023 u konfirmua se ai u arratis nga burgu rajonal i Guayas. Aktualisht ai ndodhet në arrati.
Ndërsa ‘Samir‘ komandonte Mafia-18, derisa u vra në tetor 2023. ‘Samir’ ishte trashëgimtari i territoreve dhe rrugëve të trafikut të drogës që i përkisnin Leandro Norero, alias ‘El Patrón’, pasi u vra në burgun Cotopaxi, në tetor 2022. Nga ai burg, Norero menaxhoi një strukturë korrupsioni që përfshinte gjyqtarë, polici, një ministër. Poshtë ‘Fito’ dhe ‘Samir’, në këtë strukturë kriminale, ishin biznesmenë shqiptarë si psh. Dritan Gjika; ekuadorianët, si Cherres, Lalangui dhe Landívar; dhe kolumbianët.
Sipas burimeve të cituara nga Villavicencio, ‘Samir‘ kontrollonte portin e Guayaquil. Dhe, nëpërmjet biznesmenëve të përkushtuar për eksport, kontaminoi kontejnerët me drogë që furnizohej nga ‘Fito‘.
Sigurimi në krye të “Kumbarës”
Sipas hetimeve të Villavicencio, shqiptari Dritan Gjika, i cili ndodhet në arrati dhe identifikohet si “Toni”, ishte përgjegjës për koordinimin e sigurisë së strukturës kriminale me një oficer policie të identifikuar si “Kumbara” ose “La Madrina”. Përveç kësaj, “La Madrina” u fokusua në “vendosjen e personelit të besuar të policisë në adresa të ndryshme për të lehtësuar trafikun e drogës”. Në të njëjtin dokument të FPA-së thuhet se “Kumbara” është Tannya Varela, e cila u bë Komandant i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare, gjatë presidencës së Lenín Moreno-s dhe Guillermo Lasso-s.
Mes grupeve doli edhe emri i Erjet Strefit, i cili ishte në kërkim nga Interpoli që prej vitit 2019 për operacione të trafikut të drogës në Evropë .Nuk dihet në fakt nëse Strefi është edhe pjesë e hetimeve të operacionit “Pampa”. Por nga raporti i Villavicencios, Strefi përmendet si i njohur me pseudonimin “Daja” dhe i kërkuar prej vitit 2019 nga Çekia.
Në tetor të një viti më parë, SPAK konfiskoi pasuritë e mëposhtme të Erjet Strefit dhe njerëzve të lidhur me të, konkretisht:
-Pasuri e paluajtshme vilë 2 katëshe në Dhërmi, në kompleksin turistik “Ionian Olea”, me sipërfaqe totale ndërtimi 151,8 m² dhe sipërfaqe totale trualli 217,16 m², në pronësi eventuale të shtetases E.S;
-Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 56.20 m², në Selitë, Tiranë, në pronësi të shtetasit Erjet Strefi;
-Pasuri e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 74.40 m², në Selitë, Tiranë, në pronësi të shtetasit Erjet Strefi;
-Pasuri e paluajtshme e llojit tokë arë, me sipërfaqe 500 m², në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnje,me bashkëpronarë shtetasit J.S dhe H.S.
-Pasuri e paluajtshme e llojit tokë arë, me sipërfaqe 500 m², në fshatin Krutje e Poshtme, Lushnjë, me bashkëpronarë shtetasit J.S dhe H.S.
-Pasuri e luajtshme autoveturë e markës “BMW”, tipi: 3D, vitprodhimi 2012, në pronësi të shtetasit N.S.
ERJET STREFI
Sipas SPAK, shtetasi shqiptar Erjet Strefi është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Praga/Çeki, në vitin 2019, pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe të huaj, anëtarë të një grupi të organizuar kriminal, të cilët vepronin në territorin e Republikës Çeke dhe Mbretërinë e Holandës, gjatë periudhës Qershor 2016 deri në Shtator 2016. Grupi akuzohet se ka prodhuar dhe sasi të konsiderueshme lënde narkotike metamfetaminë.
Në raportin e Villavicencio përmenden edhe disa emra me ndikim politik dhe ekonomik. Për shembull, thuhet se Julio Lalangui, i përfshirë në operacionin La Pampa, ishte partneri i një ish-këshilltari nga La Maná. Raporti vuri në dukje se kompanitë Lalangui janë përdorur për të transportuar drogë jashtë vendit. Një tjetër emër i përmendur është ai i Freddy Fernández Hernández, alias ‘Negro‘ , i cili u ndalua në Shtetet e Bashkuara.