Personazhi kontravers Dorian Duçka sponsorizon foto në portale, thotë se po zgjidh hallet e Amerikës, skandali McGonigal dhe lidhjet e dyshimta..
Personazhi kontravers Dorian Duçka, ka sponsorizuar një fotografi të veten sot në disa portale për të treguar se vijon të jetë ende i rendësishëm.
Duçka, i cilësuar si “kutia e zezë” e disa punëve të pista pushtetarëve, përfshi edhe skandalin McGonigal, ka sponsorizuar nëpër portale një foto të ministrit të Jashtëm të Greqisë në Samitin e Mynihut ku ai duket në sfond. Nuk dihet se për cfarë ka qenë Duçka në një samit normal në një shtet europian, megjithatë ai e ka shitur sikur po bën diplomacy të madhe atje duke shkruajtur për veten se ka kontakte me Hillary Clinton dhe se po ndikon në zgjidhjen e çështjeve të rendësishme amerikane.
Çfarë thuhet në dosjen amerikane për Duçkën në skandalin McGonigal:
Sipas dokumentit të akuzës amerikane, “Gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar dhe me Personin B [Dorian Duçka].
Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeministrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte licenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një pajisje teknike të FBI-së në prani të personit B”.
Në 12 shtator 2017, vetëm dy ditë pasi Duçka, Neza dhe McGonigal takuan në Tiranë kryeministrin Rama, u regjistrua në QKB kompania “Alpha Strategy Consulting” me Nipt L72112036Q. Ortakët Xhoana Lilaj dhe Dorjan Duçka, krijuan kompaninë që ofronte “konsulencë dhe asistencë për projektet ndërkombëtare, në çdo lloj biznesi që shoqëritë vendase dhe të huaja janë të interesuara të ndërmarrin në Shqipëri ose jashtë saj, biznese për shfrytëzimin e pasurive, nëntokësore dhe mbitokësore”.
Në media, disa muaj më parë, pasi shpërtheu skandali i McGonigal qarkulluan në media investigime mbi kontaktet e Duçkës me personazhe me prapavijë të dyshimte, me të cilët ka partneritet në kompani të tregtisë së armëve.
Duçka qëndron pas dy kompanive të tregtimit të armëve, duke vendosur si administrator kunatin e tij, Elton Lilaj. Duçka u kujdes të krijohet përshtypja se dy kompanitë kanë një origjinë kapitali perëndimor, nga Belgjika dhe Franca.
“Sparta International” me Nipt M21502057R u regjistrua në 1 Mars 2022 në QKB, me ortakë: (1) “francezin” arab Adel-Henry Nuseibeh – 40%, (2) “belgun” lindur në Khimki të Rusisë Denis Valerievitch Kozlov – 40%, (3) Elton Lilaj dhe Zamira Qato me nga 10%.
Kompani e krijuar me qëllim aktiviteti “Importi, eksporti i të gjitha mallrave të destinuara për qëllime ushtarake, duke përfshirë municionet dhe të gjitha llojet e armatimeve”.
Tre ditë më pas, në 4 Mars 2022 u krijua kompania “Apollo Defense International” me Nipt M21508012C, regjistruar në QKB me ortak 80% “francezin” arab Adel-Henry Nuseibeh, 10 % Elton Lilaj, 10% Zamira Qato, raportohet në media. /Korrieri