Partitë opozitare u mblodhën këtë të premte për të krijuar “Federatën e opozitës”. Një formacion përbashkues që siç thonë vetë liderët opozitarë do të jetë përballë “regjimit të korruptuar të Edi Ramës”. Dhe pse u nis si një levizje përbashkuese brenda opozitës, sërish një pjesë e saj mbetet jashtë. Të kontaktuar një ditë më parë (të enjten) nga gazeta, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi se ishte një nga iniciatorët e takimit. Por çfarë nuk e bindi Lulzim Bashën, Shpëtim Idrizin dhe Dashamir Shehin të ishin të pranishëm?
Basha, Idrizi dhe Shehi i thotë “JO” Federatës
Lulzim Basha, i cili mban vulën dhe logon e Partisë Demokratike zyrtare sot i tha “JO” ftesës së Fatmir Mediut për të ulur krah partive opozitare. Po ashtu, Dashamir Shehi, i cili një ditë më parë i kontaktuar nga Gazeta Korrieri u shpreh se nuk do të ishte dhe këtë të premte i qëndroi të njëjtit mendim. Ndërkohë një tjetër emër i rëndësishëm opozitar që nuk iu bashkua tryezës ishte Shpëtim Idrizi. Ky i fundit i pyetur nga ZËRI, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk i është përgjigjur interesit tonë për një përgjigje nga ana e tij.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ftesa për Bashën ishte e hapur, por ai nuk preferoi të vinte. Këtu ka diçka, pasi vetë Sali Berisha, të cilin dhe Gazment Bardhi tashmë e njeh si kryetar të PD, i ka mbyllur derën në mënyrë të prerë Bashës dhe Enkelejd Alibeajt.
Nuk dihet ende nëse Bardhi është konsultuar me Berishën për ftesën e hapur ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, apo se Lulzim Basha nuk preferoi të shkonte për shkak të “kakofonisë”, së të qënurit në një tavolinë me Flamur Nokën dhe Gamzent Bardhin, nën logon e dy PD-ve, që me sa duket nuk do të bashkohen.
Ilir Meta dërgoi Petrit Vasilin
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta preferoi që në këtë tryezë të opozitës të përfaqësohej nga Petrit Vasili. Nuk dihet ende arsyeja e mungesës së Metës dhe nëse kishte të bënte me mungesën e Sali Berishës në tryuezë, ky i fundit ndodhet në “Arrest shtëpie”.
Berisha firmosi nga shtëpia
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili prej më shumë se një muaj është nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, ka firmosur nga banesa e tij, dokumentin e “Federatës opozitare”. Nuk dihet ende se si arriti Sali Berisha të firmoste dokumentin ku nuk i lejohet kontakti me persona të jashtëm, kush ja dha ta firmoste? Dhe se me kë u konsultua?
Reforma Zgjedhore në “ngërç”
Një nga prioritetet kryesore të “Federatës opozitare” është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes Reformës Zgjedhore. Por kjo Reformë sot është dhe “molla e sherrit” mes dy Partive Demokratike. Enkelejd Alibeaj duket i palëkundur për t’u ulur krah Damian Gjiknurit, ndërsa Gazment Bardhi kërkon “kokën” e tij dhe ribërjen e komisionit.
Prandaj kjo dakortësi e arritur sot, mbetet e paqartë nëse është thjeshtë një fasadë për hapin e radhës apo është fakt, që do të shtrijë bashkëpunimin e opozitës dhe aksionit opozitar? Po ashtu zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm janë afër, a do të arrijë opozita të jetë e bashkuar 100% me të gjithë faktorët e saj? Këto do i tregojë koha…