Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua sot në Tiranë edhe me drejtues të institucioneve të drejtësisë, një lëvizje kjo e pazakontë për një shef diplomacie.
Ndërsa takimi ka ardhur si një konfirmim i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për reformën në Drejtësi.
Në reagim në X (ish-Twitter) pas vizitës në Tiranë, Blinken ka publikuar një foto me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, ndërsa shkruan se: “Reforma në drejtësi është thelbësore për Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për integrimin në BE. U takova me drejtuesit e reformës në drejtësi në Tiranë për të përgëzuar progresin e tyre në avancimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit”.
Ndërkohë, gjatë konferencës në Tiranë, Blinken u shpreh se:
“Reforma në Drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë, por kemi filluar të shohim rezultate. U takova me prokurorë dhe me gjyqtarë, të cilët janë duke drejtuar reforma kryesore. Anëtarë të rëndësishëm të botës së krimit janë duke përfunduar në procese gjyqësore dhe është e rëndësishme që me këtë proces të vazhdohet përpara. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë që të bëjë hapa përpara, proces që është i rëndësishëm edhe për anëtarësimin në BE, ku është vendi që Shqipëria e meriton”.