Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit “kokë më kokë” në ambientet e Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Rama e ka falënderuar Blinken, që në këtë kohë të trazuar dhe rrjedhimisht me një agjendë të mbushur për të, ai gjeti kohë të ndalojë në Tiranë.
Rama tha se pati me Blinken një bisedë të hapur dhe të thellë, duke nënvizuar “nivelin e thellë të mirëkuptimit mes tyre”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Është gjithnjë një ditë e shënuar me një rëndësi të veçantë në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, dita kur sekretari i shtetit viziton Shqipërinë. Në llogarinë tonë ju jeni i 6-ti, por këtë herë kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë, pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën e trazuar, dhe rrjedhimisht për ngarkesën e posaçme të agjendës tuaj. Fakti që ju gjetët kohë, të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësije, këtij partneriteti dhe këtij rajoni. Natyrisht nuk mund të mos e ndaj keqardhjen që mes një darke me ne dhe darkë në Mynih, ju zgjodhët ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman.
Mund ta them pa asnjë zbukurim diplomatik apo protokollar që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur, i thellë dhe nga niveli i mirëkuptimit mes nesh. I shpreha Sekretarit të Shtetit veç falënderimit për mbështetjen që patëm nga misioni i SHBA në KOB, për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë, në dy vite që qëndruam si anëtarë, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli ambasadorja e SHBA në OKB.