Katet pa leje, oligarku Pëllumb Salillari bën kurban vëllanë. S’do bëjë burg për shkak të moshës
Lulzim Salillari, vëllai i biznesmenit Pëllumb Sallilari, është marrë i pandehur nga prokuroria e Tiranës.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për një rast ndërtimi pa lejë nga shoqëria “Salillari”, në zonën e kopshtit zoologjik në kryeqytet. Nën akuzë janë dhe zyrtarë të tjerë të firmës që zotërohet nga biznesmeni i afërt me qeverisë, Pëllumb Salillari.
Hetimet kanë konstatuar se firma “Salillari” kishte marrë lejë nga bashkia e Tiranës në vitin 2020 për të ndërtuar një godinë me 6 kate mbi tokë, përveç parkimit.
Por, ajo që rezultoi nga kontrolli në terren i autoriteteve dy vite më pas, ishte se godina ishte ngritur jo 6, por 7 kate, me një shtesë ndërtimi rreth 2.500 m2 pa leje.
Kontrollet në pallatin e “Salillarit” sipas prokurorisë, erdhën pas disa denoncimeve të banorëve të zonës për ndërtim pa leje.
“Në datën 6 Korrik 2022, shërbimet e Postës së Policisë Farkë pranë Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në portalin e policisë së shtetit ‘Komisariati Dixhital’ ka disa njoftime nga banorë të zonës së kopshtit Botanik rruga ‘Bilal Sina’, Njësia administrative Nr.13 Tiranë, ku thuhej së subjekti ‘Salillari’ shpk po ndërton pallate pa leje”, sqaron prokuroria.
Nga ana e tij, Lulzimi, një ish ushtarak në pension, nuk do të bëjë burg për shkak të moshës. Me shumë gjasa, Lulzimi do dënohet me shërbim prove nëse Pëllumbi nuk do të ndërhyjë te gjyqtari.
Sipas të njëjtave burime, në pjesën e përparme të pallatit në krahun përball kopshtit zoologjik u gjet e fiksuar në një llamarinë e afishuar leja e ndërtimit nr.prot X-13444/6 datë 27.11.2020, lëshuar nga Bashkia Tiranë. Aty thuhet se punimet kryhen nga shoqeria “Salillari” shpk dhe do të ndërtohet një godinë banimi e shërbimi 1,4 dhe 7 kate me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë, me afat kryerjen e punimeve 60 muaj si dhe një foto e pamjes së jashtme të projektit të godinës.
Referuar aktit të konstatimit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, rezulton se gjatë kontrollit të ushtruar në objektin me leje ndërtimi nr.X-13444/6 datë 27.11.2020 të objektit “Godinë banimi dhe shërbime 1,4 dhe 6 kat me 1-5 kat parkim dhe shërbime nëntokë, u konstatua ndryshim nga projekti i miratuar duke realizuar sipërfaqe shtesë në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Sipas lejes, sipërfaqja totale ndërtimore mbi tokë është 10516.29m2, ndërsa në terren u konstatua 12960.41m2 – pra 2444.12m2 shtesë ndërtimi pa leje.
Referuar lejes së ndërtimit me nr.prot X-13444/8 datë 27.11.2020 të Bashkisë Tiranë për objektin e sipërcituar me subjekt ndërtues “Salillari” shpk, rezulton se leja e ndërtimit është “Godinë banimi dhe shërbimi 1,4 dhe 6 kate, me 1-5 kat parkim dhe shërbim nëntokë”.