E diela e 4 janarit rezultoi një ditë zie, ku kryefjala e ditës ishin 2 aksidente të rënda automobilistike të cilat lanë pas 2 viktima dhe në total 7 të plagosur.
Tragjedia e parë ndodhi pasditen e sotme në aksin rrugor Bilisht-Korçë. Dy makina u përplasën kokë më kokë, një përplasje brutale e cila bëri që një prej mjeteve tip “Volkswagen” të përfundonte jashtë rruge e shkatërruar tërësisht. Si pasojë humbi jetën shoferi 36-vjeçar Elvis Mizaku.
Ndërsa policia në zbardhjen e ngjarjes raportoi se aksidenti erdhi si pasojë e një parakalimi të gabuar dhe shpejtësia e lartë e makinës tip “Hyndai” me shofer 23-vjeçarin K.H.
Ndërsa të plagosur mbetën 4 pasagjerët e “Hyndait” shtetaset B. P., D. P., Dh. P. dhe shtetasi A. P., të cilët ndodhen në spitalin e Korçës.
Por lotët nuk përfunduan me kaq!
Një tjetër aksident i rëndë u regjistrua mbrëmjen e së dielës në “Kthesën e Dragostunjës”, Librazhd.
Një grup të rinjsh ishin duke udhëtuar me shpejtësi të lartë, shoferi i makinës humbi kontrollin në kthesë duke rënë nga 30 metra lartësi, duke përfunduar në trasenë e linjës hekurudhore.
Si pasojë humbi jetën 18-vjeçari Dorian Belba i cili ishte pasagjer në makinë.
Gjithashtu mbetën të plagosur rëndë drejtues i mjetit Meglind Zeneli, 21 vjeç dhe dy pasagjerët e tjerë Gerald Verçani, 19 vjeç, Janikos Shyti, 20 vjeç.
Të rinjtë u dërguan me urgjencë në spital, 2 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore.