Nga Anila Hoxha
Ata u njohën në auditorët e Fakultetit Ekonomik. Ai si dhe ajo spikatën me rezultatet e larta.
Lidhën kurorë 12 vite me parë. Sollën në jetë dy fëmijë.
Gjithçka dukej perfekte së jashtmi, të shoqëruar ngado me njëri tjetrin.
Dukeshin në harmoni!
Deri dje, kur maskat ranë dhe dera u hap.
Një dashuri e fortë ajo mes tyre – shpjegon një nga miqtë e çiftit, jo shumë orë mbasi Jetnor Zh. u arrestua për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes të mbetur në tentativë të njeriut të zemrës.
Ngjan e pabesueshme – gati ulëset – mikesha e gruas 35-vjeçare.
Të befasuarit nuk pranojnë dot versionin hetimor që tregon se si Jetnor Zh. mbylli për gati një vit në banesë bashkëshorten, dy fëmijët dhe nënën. Se si ju vendosi kamera ngado, në korridor, dhomën e ngrënies dhe në dhomën e gjumit. Si instaloi në korridor bllokuesin e valëve të telefonit. Mbylli prizat.
“E bëj se na përgjojnë, duan të na vrasin. E di unë që po”,- shprehej Jetnori. Por me tepër se sa një xhelozi, ajo nga çfarë vuante i riu ishin problemet e shëndetit mendor, të pa diagnostifikuara nga familja. Prindërit vinin shpesh, nga Krasta sepse e kishin kuptuar që djali kishte probleme. Ne fillim qe xheloz. Pastaj u bë paranojak. Dhe në fund i dhunshëm. Ja kështu – e shpjegojnë të njohurit e të dyve
Por thyerja e 35-vjeçarit nisi një vit me parë. La punën. Punonte në një institucion tatimor. Sepse kishte frikë nga diçka. Nga diçka që ishte vetëm në kokën e tij
Me pas frikë nga përgjimet, frikë nga ata që na vërejnë keq. Dhe u mbyllën. I mbylli.
Dilnin bashkë kur bënin pazar – shpjegon fqinja. Kishim dëgjuar që grindeshin. Po shton policia- kërkuam të kuptonim çfarë ndodhte aty, por gruaja nuk fliste. As nëna e tij që erdhi tre ditë më parë.
Deri sa fëmija 9 vjeç foli. Fëmija tregoi se nëna qante. Se e ëma i përgjërohej që ti zbonte armiqtë nga koka. Ata grindeshin- pëshpëriti e vogla.
Të tjerat ishin prova në strehën e tyre. Kamera. Kontrolle gjithandej. Bllokues valësh. Letra ne formatin A4, që vajza gazmore i shkruante dhe rrëfehej duke bërë monolog me shkrim. “Çfarë ka ndodhur me ty? pyeste e reja duke nxjerrë dëshpërimin për ndryshimin e katërciptë të njeriut që deshi
Nuk kishte përgjigje për të, familjes se saj po u ngushtoheshin horizontet si në një kuti konserve. Ndaj kish thënë disa herë familjes “po më ndodhi gjë, flisni mirë tek fëmijët për mua”…
Për fat të gjithë jetojnë. Ai përfundoi në burg, sepse nuk e kuptuan që kishte nevojë për një mjek.