Kërcënimi i gjyqtares Arnisa Këlliçi ka qenë një nga lajmet më të bujshme gjatë fundjavës që lamë pas. Menjëherë pas publikimit të rastit nga mediat, gjyqtarja, pranë Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës, Policia mori masat për t’i dhënë mbrojtje. Përmbajtja e letrës ishte e rëndë! Asaj i përmendeshin emrat e dy djemve, ndërsa ndër rreshta i lihej të kuptohej se jeta e tyre ishte në rrezik për një “gabim” që kishte kryer vetë ajo.
“E dashur Arnisa. Keni dy djem ….. dhe ….. (Emrat janë fshirë për sigurinë e dy të miturve). Mendoni për ta! Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë. Me respekt!”
Për shkak të bujës që shkaktoi lajmi, mediat u interesuan pranë Policisë për të mësuar më shumë nëse kishte ndonjë të dyshuar lidhur me rastin. Kjo pasi është e pamundur që dikush të ketë kaluar para derës së zyrës së saj për të lënë letrën, pa u pikasur nga kamerat e Gjykatës së Tiranës. Me kalimin e orëve edhe misteri shtohej duke marrë parasysh faktin që deri më tani, emri i saj, edhe pse në Dhomën Penale, nuk ishte bërë pjesë e asnjë dosje të bujshme.
Më shumë detaje u zbuluan sot nga gazetarja Anila Hoxha. Duke u bazuar në burimet e saj, gazetarja Anila Hoxha zbuloi se gjyqtarja është kërcënuar si pasojë e një konflikti ka nisur brenda për brenda ambienteve të Gjykatës. Sipas saj, mendohet se shkak për kërcënimin është bërë një shaka mes kolegëve.
“Ka dyshime mund të jetë edhe për shkak të një konflikti të ndodhur ditëve të fundit në Gjykatë. Ka dyshime se është përfshirë në një shaka me kolegët, por kjo nuk është pistë kryesore. Ka qenë një konflikt, ku gjyqtarja është përfshirë në një shaka, kam të dhëna që dikush nga ju është përgjuar. Mbas kësaj shakaje në grup kolegësh, ka pasur disa reagime të ashpra. Konflikti ka edhe dëshmitarë, ka pasur një situatë të ngrirë pse duhet bërë kjo shaka. Kjo nuk është definitive. Janë duke u mbledhur shumë të dhëna dhe kjo është marrë në konsideratë,”- tha gazetarja Hoxha.
Edhe pse gjatë raportimit të saj, nuk dha shumë detaje, të tjera i kishte zbuluar në rrjetet e saj sociale. Madje pa u bërë publik lajmi për kërcënimin e gjyqtares. 4 ditë më parë, më 19 janar, gazetarja ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një ndodhi mes kolegëve gjyqtarë.
Nuk përmendi emra, por se për kë bëhej fjalë e zbuloi sot.
“Histori e vërtetë, por po e them në formën e barcaletës. Dikush bëri sikur telefonoi një mike gjyqtare pranë gjykatës anti-korrupsion. Në prani të dy gjyqtarëve dhe një prokurori të juridiksionit të përgjithshëm. Kur e mbylli telefonin u tha këtyre të treve: -Më tregoi gjyqtarja që jeni në përgjim, çfarë keni bërë? Personi 1, sapo e dëgjoi këtë gjë mori makinën dhe iku nga Tirana; Personi 2, largoi fëmijët nga banesa dhe u ul duke pritur arrestimin; Personi 3, nisi ndërhyrjet për të mësuar diçka më tepër për përgjimin. Ore ishte shaka!”
Pra, është pikërisht gjyqtarja Këlliçi ajo që bëri shakanë me 3 kolegët, të cilët menduan se vërtetë ishin në përgjim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deri më tani, identiteti i tyre ende nuk dihet, por mesa duket janë në ‘radar’ si të dyshuar lidhur me ngjarjen. Kjo pasi një nga të tre, ose dhe të gjithë së bashku, dyshohet se i kanë dërguar letrën si për t’i dhënë një ‘mësim të mirë’ për shakanë e saj. Por nga një shaka, çështja ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë edhe marrjen në mbrojtje nga ana e Gardës dhe e Policisë së Shtetit. Në këtë rast, çudia e madhe nuk ka zgjatur 3 ditë.
Madje mund të shkojë edhe më tej. Gjithë ai reagim i kolegëve kundër saj vetëm prej një shakaje ngre dyshime lidhur me atë që ata fshehin në të vërtetë. Nëse do të ishin të qetë në detyrën e tyre, përse do të largoheshin nga vendi apo do të rrinin në pritje të një arrestimi nga SPAK?
Tashmë është në dorën e kolegëve të tyre që ta zbulojnë.