Burgu i Tepelenës “ka mangësi të mëdha strukturore dhe është thuajse i papërshtatshëm për t’u përdorur si institucion ndëshkimi”, e për pasojë, Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Europës i rekomandon autoriteteve shqiptare mbylljen e tij. Një raport i hartuar pas një vizite që një delegacion i këtij Komiteti, zhvilloi në Shqipëri në maj të vitit të kaluar vë në dukje se “mjediset e burgut të Tepelenës ishin të degraduara”.
Sipas dokumentit të publikuar të premten “qelitë e vendosura në katin përdhes ishin të ajrosura keq, shumë prej tyre gjithashtu ishin në gjendje të keqe për t’u riparuar. Dushet e përbashkëta ishin të rrënuara dhe pati ankesa të shumta nga të burgosurit për ngrohje të pamjaftueshme në dimër. Një numër të burgosurish mbaheshin në mjedise shumë të ngushta, ku qelitë ofronin më pak se 3 m2 hapësirë banimi për person” .
Në vlerësimin e Komitetit “situata aktuale në këtë institucion cënon seriozisht cilësinë e jetës së të burgosurve dhe kushtet e punës së stafit” duke vënë në pah se ndërhyrjet për përmirësime thelbësore do të ishin me një kosto shumë të lartë. “Prandaj Komiteti rekomandon që t’i jepet prioritet i lartë, tërheqjes nga shërbimi i këtij burgu”, nënvizon raporti.
Një situatë problematike paraqitet, sipas raportit, dhe në Bllokun A të burgut 313 në Tiranë, ku Komiteti shprehet i shqetësuar se “pavarësisht garancive të dhëna nga autoritetet shqiptare gjatë vizitës në vitin 2018, Blloku i vjetër A nuk i ishte nënshtruar një rinovimi të madh. Kushtet e ndalimit në këtë ndërtesë mbetën jashtëzakonisht të këqija./ VOA