Nga Igli Çelmeta
Nëna e vuajtur që aq sa jetoi sakrifikoi vetëm për fëmijët, sakrifikoi jetën, të cilën ia mori padrejtësisht bashkëshorti i saj dhunues!
Bedria ishte një nënë shembullore, madje deri në momentet e fundit të jetës e ndjera mendoi vetëm për fëmijët. Në datë 3 janar kur ndërroi jetë në spital, në momentet e fundit të jetës, e ndjera uroi për ditëlindjen vajzën e saj për herë të fundit që në 3 janar kishte ditëlindjen, sapo uroi vajzën, më pas menjëherë mbylli sytë përfundimisht duke ikur nga kjo botë e padrejtë dhe mizore, ku më shumë vuajti se sa jetoi si njeri normal.
Bedrie Loka sot simbolizon një nënë heroinë, e cila e vetme rriti katër fëmijët e saj, pa mbështetje nga bashkëshorti, i cili vetëm e dhunonte dhe keqtrajtonte fizikisht dhe psikologjikisht.
41-vjeçarja u shty drejt vetëvrasjes nga bashkëshorti i saj, por po hetohet dhe dyshohet se kemi të bëjmë me vrasje të pastër pasi bashkëshorti mund t’ia ketë dhënë helmin (fotoksinën) të ndjerës.
Në media bëri bujë dje historia e tik-tok, por e vërteta ishte ndryshe. Sapo lexova dëshminë e bashkëshortit të saj, i cili e lidhte ngjarjen me tik-tok, menjëherë dyshova dhe isha i bindur që ai ishte autori i krimit dhe po inskenonte ngjarjen. Guxova dhe mbrëmë bëra lajmin që ngjarja nuk kishte lidhje drejtëpërdrejt me tik-tok por me marrëdhëniet familjare, i bazuar në prova dhe fakte dhe falë një bashkëpunimi shumë profesional me Policinë e Shtetit. Përgëzoj për profesionalizmin dhe punën mjaft të mirë hetimore të Policisë së Durrësit që e zbardhi ngjarjen në kohë rekord dhe vuri para përgjegjësisë autorin e këtij krimi të rëndë.