Sot paradite tre oficerë të policisë gjyqësore u ngjitën në banesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të kontrolluar nëse po e zbaton apo jo vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme, e cila e la në “arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
Oficerët e policisë pasi u takuan me njërin prej truprojave të ish-kryeministrit u ngjitën në banesën e Sali Berishës për të parë nëse ai ndodhej në shtëpi. 7 minuta pas verifikimit u larguan prej andej.
Ky ishte kontrolli i parë që oficerë të policisë kanë bërë në banesën e ish-kryeministrit Berisha, i cili prej 6 ditësh qëndron në “arrest shtëpie”, e ku i ndalohet komunikimi me persona të tjerë, veç atyre që banojnë me të.
Pavarësisht kontrollit, ish-kryeministri i injoron hapur veprimet e policisë. Pas kontrollit të policisë, sot pasdite në banesë e ish-kryeministrit kanë hyrë disa teknikë fonie. Siç duket në videot që ka siguruar Vox News, ata kanë bërë gati foninë që Berisha gjatë tubimit tashmë të përditshëm të mos ketë probleme me zërin.
Prej disa ditësh, ish-kryeministri del në ballkonin e banesës flet për simpatizantët që mblidhen çdo ditë në orën 17.30 në rrugicën poshtë banesës së tij. E në këtë mënyrë duket se arresti shtëpiak thjesht i ka ‘kursyer’ rrugën drejt sëlisë blu.