SKANDALI/ SPAK po zbërthen tenderët e armatimit, Emiljano Dusha merr 650 milionë lekë në një dorë me kontraten e armëve: Pse nuk ndërpritet deri në përfundimin e hetimit?!
Një fenomen i çuditshëm është duke ndodhur me pagesat për armatimin e ushtrisë, tender i organizuar nga Ministria e Mbrojtjes rreth një vit më parë. Duket një fenomen i ngjashëm me inceneratorët deri disa muaj më parë, ku pronarët ishgin shpallur në kërkim nga SPAK dhe po ndiqeshin për t’u arrestuar ndërkohë që shteti shqiptar vijonte të paguante faturat.
Siç konstaton Gazeta Korrieri, kompania Militari System Supply Company (MSSC) me pronar biznesmenin Emiljano Dusha , vijon prej një viti të marrë pagesat nga buxheti i shtetit, ndërkohë që prej gushtit 2023 SPAK ka nisur një hetim për tenderët e armatimit të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes duke bllokuar fillimisht celularët e disa funksionarëve si edhe ushtarakëve.
Sëfundmi, konstatohet se MSSC e biznesmenit Emiljano Dusha ka marrë në 21 nëntor 2023, plot 650 milion lekë nga thesari i shtetit (shiko foton), në kuadër të kontratës së armatimit të lidhur në tetor 2022 për ushtrinë shqiptare.
Është normale që ushtria shqiptare të armatoset, por procedurat duhet të jenë transparente pasi bëhet fjalë për shuma kolosale parash dhe aq më tepër, kur bëhet fjalë për një praktikë që po hetohet. SPAK nuk ka bërë me dije detaje mbi ecurinë e hetimeve, nisur nga sekreti hetimor, megjithatë disa detaje kanë dalë nga brenda institucioneve që po hetohen pasi skandali duket se është i madh si për armët, ashtu edhe për bazat detare ku janë të përfshirë oligarkët më të mëdhenj në vend.
Kush eshte Emiljano Dusha ?
Dusha është një biznesmen i përfolur për lidhje të ngushta me segmente të caktuara të së majtës, raporte që nisin prej fundit të viteve ’90 ku ai fillimisht shfaqet si shitës celularësh, por më pas del në pah duke marrë tenderë miliardësh nga maxhoranca aktuale. Dusha është akuzuar nga Mero Baze për rrahjen e tij në vitin 2005, kur bashkë me Astrit Patozin kishin shkuar për të vëzhguar zgjedhjet e përgjithshme në jug të vendit. Baze tha atëhere se ishte rrahur nga bandat e vitit 1997.
Dusha do të rishfaqet në skenë disa vite më vonë kur Belind Këlliçi bën një padi në SPAK për blerje votash, ku emri i tij atashohet me një grup të konsideruar të rrezikshëm nga opozita që grumbullonte kartat e identitetit të banorëve të Tiranës dhe i blinte ose bënte presion me qëllim votimin e PS. Padia u tërhoq për arsye të panjohura. Ai rezulton edhe personi që ka ofruar një sasi të madhe gazi lotsjellës për Ministrinë e Brendshme me qëllim shtypjen e protestave të vitit 2020. /GazetaKorrieri