Prokurorët e SPAK kanë lexuar provat e siguruara nga hetimet ndaj Fredi Belerit dhe bashkëpunëtorit të tij Pandeli Kokaveshi, në seancën që është duke u mbajtur në GJKKO.
Mësohet se hetuesit kanë arritur të zbërthejnë telefonin e Kokaveshit, duke i zbuluar një sërë mesazhesh inkriminuese që ai ka shkëmbyer me Fredi Belerin përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, por edhe me persona të tjerë.
Brenda telefonit të Kokaveshit, në aplikacionin “WhatsApp” është zbuluar një grup i emëruar “Himara ime je ti”, ku Kokaveshi premtonte dokumente greke për banorët e Himarës.
Madje në një moment Beleri i ka shkruar Kokaveshit duke e paralajmëruar. “Çfarë janë këto biseda, nga këto do të digjesh ti”, i ka shkruar Beleri-Kokaveshit.
SPAK thotë se dokumentet greke ofroheshin për qytetarët e Bashkisë Himarë në këmbim të votës për Fredi Belerin.
Sakaq, telefoni i Belerit nuk është arritur të hapet, pasi nuk ka pranuar të dorëzojë kodin. Por hetuesit e SPAK kanë ekspertuar telefonin e dëshmitarit Arsen Rama, ku kanë zbuluar se ai ka patur komunikime nga numri i Belerit.