Policia e Shtetit bën me dije se Interpol Tirana dhe institucionet e drejtësisë kanë nisur procedurat e ekstradimit në vendin tonë të 43-vjeçarit Dritan (Gramoz) Rexhep, i cili u arrestua në Stamboll.
Dritan Rexhepi akuzohet nga drejtësia shqiptare për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, ku akuzohet si porositësi në rrëmbimin e Jan Prengës. Po ashtu, ai është dënuar nga Gjykata e Fierit me 4 vite burg për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”.
Ndërkohë nga autoritetet italiane akuzohet si kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello”, që transportonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Lajmin për arrestimin e Dritan Rexhepit e ka bërë me dije ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ku njofton se Dritan Rexhepi është arrestuar në operacionin e emëruar “Kartel”, i zhvilluar në qytetin turk nga autoritetet italiane dhe shqiptare. Në banesën ku u krye arrestimi i janë gjetur një kasafortë ku ai mbante pistoletë një sasi eurosh si dhe shumë ora të shtrenjta dhe varëse floriri.
Njoftimi
Pas kapjes në Turqi, të 43-vjeçarit, Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, në vendin tonë.
Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
– Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.
– Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu, ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, njofton Policia e Shtetit.