Mediat italiane kanë zbardhur detaje në lidhje me marrëveshjen që u nënshkrua sot mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni, për sjelljen e emigrantëve në vendin tonë.
Sky Neës Italia shkruan se sipas burimeve që ka nga ‘Palazzo Chigi’, kjo marrëveshje në parim u mbyll gjatë pushimeve të Melonit në Vlorë. Po ashtu theksohet se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi nga pranvera e vitit 2024.
“Pas konferencës për shtyp për shpalljen e marrëveshjes, burime nga Palazzo Chigi nënvizuan se protokolli për menaxhimin e flukseve migratore midis Romës dhe Tiranës u mbyll në thelb më 15 gusht, ndërsa Meloni ndodhej në Shqipëri. Marrëveshja ka mbërritur gjatë takimit që dy liderët zhvilluan dhe që u cilësua si një festë e thjeshtë.
“Më shumë se aperitivë…”, theksojnë të njëjtat burime, duke ritheksuar se marrëveshja do të funksionojë në pranverën e 2024. Është marrëveshja e parë e këtij lloji, një marrëveshje historike jo vetëm për Italinë por për të gjithë Bashkimit Evropian”, thuhet në shkrim.
Sipas asaj që dihet deri tani, dy kampe emigrantësh që do të presin nga 3 mijë emigrantë në muaj, deri në 36 mijë në vit, do të ndërtohen në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës.