Nuk ka liri. Gjykata e Posaçme vendosi që të lërë të pandryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin duke caktuar “arrest me burg” pa afat. Gjithashtu nuk ka ndryshim as për biznesmenin Fatmir Bekteshi që do të vazhdojë që të jetë në detyrim paraqitje.
Të dy akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me ndërtimin e 17 kullave mbi truallin e ish-kompleksit “Partizani”.
Dy avokatët që mbrojnë Malltezin, Antoneta Sevdari dhe Klodian Skënderi pretendojnë se nuk ka asnjë shkelje ligjore. “Trualli u është rikthyer pronarëve. Të ardhurat janë krijuar nga aktiviteti” ishin pretendimet e avokatëve.
Në seancë ka folur edhe vetë dhëndri i Berishës. Prokuroria është përfaqësuar nga Arben Kraja që kërkoi masën “arrest me burg” për dhëndrin e Berishës dhe detyrim paraqitje për biznesmenin, të cilat u vulosën nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Nesër është radha e Sali Berishës për t’u paraqitur në orën 14:00.