Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Castelfiorentino, ku 35 vjeçarja shqiptare Klodiana Vefa u qëllua me armë zjarri në mes të rrugës.
Dyshimet paraprake fokusohen tek bashkëshorti i saj, Alfred Vefa, me të cilin 35 vjeçarja po ndahej dhe nuk jetonte më.
Burri është zhdukur dhe dyshohet se është larguar me një Golf të bardhë. Karabinierët kanë ngritur disa pika kontrolli në të gjithë Val d’Elsa, në zonën midis Poggibonsi, në provincën e Sienës dhe në zonën e Empolit. Policia ka kontrolluar edhe disa shtëpi të braktisura në zonën e krimit por pa asnjë sukses.
Burri dyshohet se është paraqitur në shtëpinë ku jetonte gruaja me djalin 17-vjeçar dhe vajzën 14-vjeçare. Mes të dyve ka pasur një debat. Në atë moment ajo ka dalë në rrugë, ndoshta për t’u ndjerë më e sigurt. Pikërisht në trotuar ajo u godit nga tre të shtëna armësh, njëra prej të cilave ishte fatale.
Alarmi është ngritur nga disa banorë të cilët kanë dëgjuar të shtënat me armë. Ambulanca mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes por shqiptarja ndërroi jetë rrugës për në spital. Klodiana nuk ishte ndarë ligjërisht nga bashkëshorti por kohët e fundit kishin pasur mosmarrëveshje.