Katër apartamente janë shkrumbuar krejtësisht në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët një ditë më parë në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.
Veç tyre, thuhet se nga flakët janë dëmtuar pjesërisht edhe 12 banesa, të cilat janë bërë të pabanueshme.
Banor֝ët kanë paguar nga 900 deri në 1500 euro m2 për të blerë një hyrje në pallatin 10 katësh.
Ata thanë për Report Tv se banesat i kanë blerë me kredi.
Grupet e akt-ekspertimeve kanë mbërritur në pallat dhe po kryejnë verfikimin e dëmeve nga zjarri si dhe do të përcaktojnë shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije elektrike në një pajisje elektroshtëpiake në duplex-in në katin e fundit të pallatit 10 katësh, që është në pronësi të një mjeku.
Pallati 10-katësh ndërtuar në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj, rrezikoi seriozisht të shembej nga flakët që nuk njohën kufi dhe u shpërndanë thuajse në të gjithë strukturën e godinës së banuar, por fatmirësisht nuk shënuan të plagosur dhe asnjë humbje jete, pasi banorët u evakuuan në kohë.
Pas zjarrit në pallatin 10 katësh në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, është shoqëruar në polici administratori i pallatit.