AKU bllokon 383 kg prodhime te “Erzeni” shpk dhe gjobë . Probleme me etiketat, produkti u hodh në treg. Të pathënat e inspektimit në Korrik
Shqipëria pati më pak dele dhe dhi gjatë 2022, por çuditërisht (!) rezulton se gjatë këtij viti është prodhuar më shumë qumësht deleje dhe dhie.
Këto çudira ndodhin në një vend ku shëndeti i qytetarëve vlen më pak se një “tufë” parash në xhepat e inspektorëve të AKU-së apo miliarda në llogaritë e prodhuesve të bulmetit, të cilët rëndom tashmë thirren nga qytetarët edhe si “mafia e qumështit” pasi të vetmin Zot kanë paranë.
Gazeta Korrieri nis kështu publikimin e serisë së investigimeve të paralajmëruar më herët për tregun e prodhimit/ përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Në këtë seri do të fokusohemi te kompanitë që “ka falur” AKU-ja pasi u ka shkuar në derë dhe ka bllokuar dhjetëra kuintal djath, gjalp, qumësht, etj.
Çuditërisht, pjesa më e madhe e kësaj sasie siç mëson Gazeta Korrieri është lejuar më pas që të futet në treg duke u konsumuar gjatë kësaj vere nga qytetarët pasi sipas AKU-së “analizat u kanë dalë në rregull”.
Madje, kompanitë edhe janë gjobitur nga inspektorët e AKU-së, të cilët duket se janë “zbutur” më pas.
Aksione të tilla të inspektorëve të AKU-së ka patur në qarqet Berat; Fier; Tiranë; Shkodër, etj., për të cilat do të flasim specifikisht në vijim, por sot do të ndalemi te rasti i stabilimentit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit “Erzeni” shpk në Berat.
Qumështi pluhur dhe ai serb mbysin tregun
Shqipëria importon gjatë viteve të fundit mesatarisht 1 300- 1600 ton qumësht pluhur, i cili në pjesën më të mëdha shkon në stabilimentet e prodhimit të përpunimit të qumështit, ndërsa një pjesë tjetër në pastiçeri dhe biznese të ngjashme.
Kur qeveria planifikoi të vendosjen e një takes 100 lekë/ kg për importin e qumështit pluhur prodhuesit e qumështit e kundërshtuan atë me forcë duke paralajmëruar falimentimin e tyre.
Plani i qeverisë ishte që të mbronte prodhimin vendas dhe shëndetin e qytetarëve duke stimuluar qumështin e mbledhur apo prodhuar këtu nga ai pluhur, por taksa u mbajt zero pas kundërshtimit të fabrikave të qumështit.
Ndërkohë, vendi importon 30% të qumështit që konsumohet gjatë gjithë vitit këtu pasi prodhimi vendas nuk i plotëson nevojat. Ka patur akuza të forta për cilësinë e këtij qumështi, por AKU-së i dalin analizat në rregull për herë.
Delet bëhen lopë? Numri i kafshëve bie, rritet sasia e qumështit!!!
Perla në fakt del nga kryqëzimi i të dhënave të INSTAT, të cilat në fakt faktojnë krimin që po i bëhet shëndetit të Shqiptarëve prej makutërisë së prodhuesve dhe papërgjegjshmërisë ose më keq akoma, bashkëpunimit të AKU-së.
Numri i deleve dhe dhive në Shqipëri ka rënë nga viti në vit për shkaqe të ndryshme që nisin nga mungesa e subvencioneve, politikat e gabuara në blegtori si edhe largimi i qytetarëve, mirëpo çfarë ndodh: INSTAT deklaron rritje të qumështit të deles dhe dhive, madje edhe rritje të sasisë së djathit të deles dhe dhisë që është mbledhur gjatë viteve të fundit në vend.
Këto janë të dhëna zyrtare, të cilat nëse do të krahasoheshin nga ekspertët do të nxirrnin në pah abuzimet e frikshme që bëhen me prodhimin e djathit në vend me lloj lloj solucionesh dhe esencash që japin shijen sikur të jetë djath dhie apo djath dele.
Pyetjes që quhet t’u japin përgjigje ekspertët e mëdhenj të AKU-së teksa certifikojnë qumësht serb apo me qumësht pluhur apo djath e gjalp me vaj palme ose kos me lloj lloj shtesash, është se si mundet që të rritet kaq shumë sasia e qumështit të deles dhe shisë kur numri i deleve dhe dhive po bie në mënyrë drastike në Shqipëri?!
Një shpjegim mund të jetë rritja e produktivitetit të deleve, madje mund të dalë ndonjë shkencëtar (që bën analizat në Maqedoni dhe i shet si të BE-së) të thotë se tashmë delet janë bërë lopë dhe prodhojnë dyfishin e qumështit, por sërish shifrat nuk korrespondojnë.
Tani le të vijmë te çështja kryesore..
Gazeta Korrieri mësoi në muajin korrik se AKU kishte bërë më herët një mori inspektimesh nëpër stabilimentet e prodhimit dhe përpunimit të qumështit duke bllokuar dhjetëra kuintal produkte si djath, gjizë, gjalp, etj., ndërkohë që kishte vendosur gjoba deri në miliona lekë për subjekte të caktuara, një situatë kjo që do të alarmonte çdo redaksi në botë. Gjobitja me 1 milionë lekë apo 5 milionë lekë e një prodhuesi qumështi është një sinjal alarmi për këdo që thotë se i shërben interesit publik.
Nga burimet tona mësuam se pjesë e këtyre inspektimeve kishin qenë edhe stabilimentet më të mëdha të prodhimit dhe përpunimit të qumështit siç janë “Lufra”; “Erzeni”;
“Gjirofarm”; “Mireli”; “Ajka (Delta Doni) ; “Klegen”, “Shaka Boboshticë”, “Feaksi”, etj.
Gazeta Korrieri ka të dhëna të plota për secilin inspektim në këto prodhues si edhe të tjerë më të vegjël, por le ti marrim me radhë.
AKU bllokon 3.8 kuintal djathë te “Erzeni” shpk dhe e gjobit me 50 mijë lekë të reja gjobë. Inspektimi ndodhi në korrik të këtij viti dhe inspektorët e AKU-së sipas procesverbalit që ka siguruar Gazeta Korrieri i kanë kërkuar kompanisë që ta mbajë të bllokuar produktin deri në daljen e analizave se në to nuk ka përmbajtje të vajit të palmës dhe të niseshtëse.
Më vonë, siç mëson redaksia produkti është lejuar të hidhet në treg dhe tashmë është konsumuar nga konsumatorët.
Gazeta Korrieri kontaktoi me kompaninë “Erzeni” shpk, të cilët në një reagim për GK pranuan inspektimin nga AKU dhe gjobën duke dhënë shpjegimet e tyre, duke theksuar “se bllokimi i 384 kg djath nuk kishte ardhur për shkak të ndonjë problemi me cilësinë, por se ashtu është procedura e inspektimeve, e cila në rast të bërjes së analizave, bën të detyrueshme mbajtjen e produktit në magazinë deri në një vendim të dytë”.
Përgjigja e “Erzeni” shpk:
Procedura e marrjes se mostrave është bërë sipas “parashikimeve ligjore”, pra është bllokuar ajo sasi deri nëardhjen e përgjigjes së analizave. Pra nuk është marrë mase gjobë për produkte të bllokuara dhe për prani tëlëndeve të dëmshme në produkte.
Ne e pyetëm kompaninë “Erzeni” shpk për shkakun e gjobës 50 000 lekë të reja të vënë nga AKU, por nuk morën përgjigje për këtë pyetje deri në publikimin e këtij materiali.
Duke mos marrë përgjigje nga kompania “Erzeni” shpk për shkakun e gjobës, gjatë investigimit tonë iu drejtuam edhe AKU -Berat, e cila ka kryer inspektimin, nga të cilët mësuam se gjoba ndaj “Erzeni” shpk është vendosur për shkak të problemeve në etiketa me paraqitjen e përmbajtjes së produkteve.
“Drejtoria Rajonale e AKU-së, qarku Berat, sqaron se, bllokimi i nënprodukteve të qumështit është kryer për arsye mostrimi.
Janë marrë mostra për analizim dhe deri në dalje të përgjigjeve të analizave komform legjislacionit në fuqi bëhet bllokimi në ambientet e subjektit.
Masa administrative me “gjobë” është vendosur për mangësi në elementë në etiketimin e produktit të cilat nuk ishin pasqyruar të renditura sipas VKM-së 434, datë 11.8.2018 “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”, thekson AKU Berat për Gazeta Korrieri.
Analizat e dyshimta të AKU-së: Bëhen në Maqedoni
AKU-së i dalin të rregullta analizat përherë kur bllokon sasi të mëdha produktesh bulmeti te stabilimentet prodhuese. Në media ka patur vazhdimisht raportime për një skemë të mirëfilltë korrupsioni.
Madje, siç konstaton edhe Gazeta Korrieri, kjo skemë e denoncuar më herët në media, promovohet edhe nga ligji për inspektimin. Ligji thotë se inspektori mund të bllokojë menjëherë një produkt apo sasi produktesh dhe të lejojë çlirimin e tyre dhe hedhjen në treg pasi analizat të konfirmojnë se janë të konsumueshme!
Dhe këtu nis momenti kur AKU-së i dalin në rregull analizat(!), por investigimet e mëparshme kanë treguar një mospërputhje të madhe mes analizave të AKU-së dhe analizave të bërë nga laboratorë të pavarur.
Gazeta Korrieri mëson përmes burimeve në AKU se analizat bëhen në një laborator në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se thuhet rëndom “bëhen jashtë shtetit”. Burimet bëjnë me dije se analizat e produkteve të bllokuara nga AKU gjatë kësaj vere, të cilat janë hedhur më pas në treg dhe janë ngrënë tashmë nga konsumatorët, janë firmosur nga një qytetar me origjinë shqiptare nga në Shkup. /Gazeta Korrieri
Në vijim do të lexoni: AKU bllokon mbi 1.2 ton produkte në një stabiliment prodhimi dhe përpunimi qumështi në qarkun Fier dhe e gjobit. Çfarë thonë analizat e pavarura, të pathënat e sasisë kolosale të bllokuar dhe çfarë thonë inspektorët e ndershëm të AKU.
Po ashtu: Cili është supermarket në Tiranë dhe fabrika e përpunimit të qumështit në qarkun Tiranë që janë paditur në Prokurori
Lexoni SERIN NR.2
VIJON…
NDALOHET RIPRODHIMI PA CITUAR ME LINK SIPAS RREGULLAVE NË FUQI. ÇDO SHKELJE DO TË TRAJTOHET SIPAS PARASHIKIMEVE LIGJORE NË FUQI PËR TË DREJTËN E AUTORIT.