Të tjera detaje janë zbuluar në lidhje me ekzekutimin mafioz të gjashtë personave, pak ditë më parë në Athinë, ngjarje, e cila tronditi opinionin publik. Sipas një raporti të fundit të gazetës turke, Yeni Safak, 10 minuta para vrasjes, atyre u është dërguar një mesazh në celularin e tyre.
“Pozicioni yt është zbuluar, dil menjëherë nga shtëpia, do të të vrasin”, mësohet se thuhej në mesazhin në fjalë.
Gjithnjë sipas informacioneve të gazetës turke, 6 viktimat në momentin e marrjes së SMS, kanë vendosur të largohen nga shtëpia, të cilën e kishin marrë me qira në Lutsa, duke mos ditur se disa kilometra më poshtë do t’u zënë pritë.
Ndërkohë, medias vendase publikuan edhe emrat e viktimave të atentatit, të cilët janë identifikuar si: Doruk Ersu Büyüktunç, Abdurrahman Tekrü, Ömer Kanza, Ozan Kaan Tozlu, Barış Çağan dhe Burak Tahmaz.
Sipas raportimit të djeshëm të medias greke, në celularët e 6 viktimave janë gjetur mesazhe të shkruara në gjuhën turke, ku policia po analizon përmbajtjen e tyre për të përcaktuar se me kë po bisedonin dhe nëse dikush i kishte njoftuar ata se ishin vënë në shënjestër të një organizate kriminale ku mendohet se mund të kenë qenë grupe rivale.
Automjeti me të cilin ata udhëtonin ishte me targa gjermane false dhe i përket një shtetasi rumun, i cili ua kishte dhënë viktimave. Hetimet po vijojnë me ritme të pandërprera dhe sistematike për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorëve.