Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se shkak për helmimin e mbi 40 turistëve të rinj polakë në Vlorë dyshohet të jetë bërë ushqimi i shërbyer nga operatori dhe temperaturat e larta.
AKU shprehet se është duke hetuar në të gjithë itinerarin ku kanë udhëtuar polakët e moshave 15-16 vjeç, të cilët u nisën mëngjesin e sotëm nga Shkodra, mbërritën në Karaburun dhe me një anije turistike vizituan ishullin e Sazanit.
AKU i bën thirrje bizneseve të tregojnë kujdes me ruajtjen e ushqimit, ndërsa këshillon të mos konsumohen ushqime që kanë mbi dy orë jashtë frigoriferit gjatë verës.
Njoftimi i AKU:
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Vlorë shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit, ku ishin të përfshirë disa pacientë të rinj nga Polonia, të cilët ishin me pushime në Shkodër e kanë udhëtuar drejt Vlorës. Pas udhëtimit me anije në Vlorë, menjëherë, janë paraqitur për kujdes mjekësor pranë Spitalit Rajonal Vlorë, me të cilët kemi punuar ngushtësisht.
Momentalisht, do donim të siguronim publikun e gjerë që situata e pacientëve nuk paraqitet kritike dhe AKU po kontrollon të gjithë subjektet sipas itinerarit të turistëve.
I bëjmë thirrje operatorëve të kenë kujdes dhe të mos operojnë me shërbim ushqimi pa qenë të autorizuar e të licencuar lidhur me kriteret e sigurisë ushqimore dhe të kenë kujdes me kushtet e ruajtjes në temperaturat e larta të sezonit.
Udhëzojmë konsumatorët të mos konsumojnë ushqime që kanë qëndruar për më shumë se 2 ore pas gatimit jashtë frigoriferit.
DRAKU Vlorë po bashkëpunon me autoritetet vendore shëndetësore dhe agjencitë ligjzbatuese për udhëheqjen e një hetimi toksikologjik lidhur me çështjen. Objektivi ynë kryesor është përcaktimi i burimit dhe shkakut të kësaj incidence ushqimore që ka prekur pacientët.
Gjetjet paraprake orientojnë tek një lidhje e mundshme mes operatorit që ka shërbyer ushqim dhe kushteve klimaterike me temperatura të larta.
Shëndeti dhe siguria e konsumatorëve janë rëndësia e posaçme e punës së AKU-së dhe për këtë po mbledhim informacionin e dobishëm për të evidentuar e identifikuar çdo gabim në protokollet e sigurisë ushqimore, për t’i adresuar siç ligji parashikon. Skuadra jonë po koordinohet me profesionistët e kujdesit shëndetësor në Spitalin Rajonal të Vlorës për t’u siguruar që pacientët të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
DRAKU Vlorë do vijojë të informojë publikun mbi progresin e këtij hetimi. Ftojmë këdo që ka informacion mbi subjekte që tregtojnë jashtë standardeve të sigurisë ushqimore të denoncojë në info@aku.gov.al dhe në numrin e gjelbër 08007575 për të qenë së bashku në përpjekjen për sigurimin e mirëqenies së konsumatorëve.