Nga Entela Resuli
Në datën 11 shtator fillon zyrtarisht shkolla në vendin tonë, për vitin akademik 2023-2024.
Nxënësit janë në ditët e përgatitjeve për këtë fillim të ri.
Tregjet janë të mbushura plot me çanta të reja. Kancelarit gjithashtu.
Fëmijët do e gjejnë veten një vit më të rritur. Këto ditë shoqërohen me emocione të përziera nga ana e tyre. Janë të gëzuar që do të takohen me shokët dhe shoqet, por jo edhe aq shumë për faktin se do fillojnë rutinën me orare të përcaktuara.
Një nga pyetjet që u bëhet rëndomë nxënësve në ditën e parë të shkollës është: si dhe ku i kaluat pushimet e verës? Ndoshta pa u menduar gjatë se ka disa kategori fëmijësh: Ata që kanë patur mundësi të bëjnë pushime dhe të tjerë që nuk e kanë patur këtë fat, për shkak shumë rrethanave dhe mbi të gjitha për arsye ekonomike.
Për këtë arsye ka fëmijë që druhen në ditën e parë të shkollës sepse nuk kanë një përgjigje të mirë për pyetjen se si e kanë kaluar dhe çfarë kanë bërë gjatë verës, sepse ndoshta ajo që ata kanë bërë ka qenë veç mbijetesa. Pasi shkollat nuk janë vetëm në qendër të Tiranës dhe fëmijët nuk shkojnë vetëm në shkolla private ku familjet kanë mundësi të paguajnë.
Sipas psikologëve kjo situatë duhet shmangur.
Ndoshta shumë prindër dhe mësues, mund të mos jenë dakord me këtë ide, por si thoni t’i respektojmë njëherë ata që nuk kanë mundësi!?
Për të folur për fillimin e vitit të ri shkollor, emocionet, sfidat, por edhe duke u ndalur tek pyetja mbi pushimet, ne kemi folur me psikologen dhe pedagogen e Fakultetit të Shkencave Sociale, ArjanaMuçaj.
-Arjana, si janë rikthimet në shkollë për nxënësit, pas pushimeve të gjata?
Rikthimi në shkollë për nxënësit pas pushimeve verore është një emocion pozitiv pasi ka të bëjë me rikthimin tek grupet sociale ku ata bëjnë pjesë gjatë vitit shkollor. Entuziazmi që tashmë janë një vit më të mëdhenj i kthen ata plot energji dhe ide të reja për vitin e ri shkollor.
Në fakt fëmijët përjetojnë dhe stres, pasi fillon të ndryshojë dhe rutina e tyre e përditshme nga oraret e gjata të gjumit tek oraret fikse të zgjimit dhe të planifikimit të orëve mësimore të studimit në shtëpi, por edhe të kurseve që shumica e fëmijëve ndjekin gjatë vitit shkollor.
Pra rikthimi i fëmijëve në rutinën e përditshme vjen me entuziazmin e ditës së parë të shkollës dhe vazhdon me ankthin e stabilizimit të orareve kohore deri në stabilizimin e tyre.
– A kanë ndryshuar fëmijët e sotëm, nga fëmijët e para 20 viteve për shembull? Në ç’kuptim?
Nëse do të krahasonim fëmijët e sotëm me fëmijët e 20 viteve më përpara kjo është e pamundur sepse brezat e atëhershëm një pjesë të kohës së lirë e kalonin në argëtim social ku marrëdhëniet sociale e bënin më të shëndoshë individin për tejkalimin e vështirësive që hasnin si fëmijë. Por pushimet verore dikur bëheshin edhe ne grupe fëmijësh ku ekzistonin kampet e pionierëve dhe organizimi i kohës ishte shume efiçent, që fëmija të mos humbte ritmin e vitit shkollor. Aktivitetet gjithashtu kanë qenë më të larmishme ku fëmijët krijonin me fantazinë e tyre lojëra të cilat ndikonin në zhvillimin si fizik dhe mendor të fëmijës.
Edhe sot kemi kampe verore për fëmijë, por me shumë rëndësi i kushtohet argëtimit pasi mendohet që fëmijët kështu kënaqen më shumë. Një element tepër ndikues në formimin dhe zhvillimin social dhe mendor sot ka dhe prania e teknologjisë. Qëndrimi përpara ekraneve të tabletave dhe smartphonëve na bën të kuptojmë se si i vendosin marrëdhëniet sociale fëmijët e sotëm gjë e cila reflektohet dhe në komunikimin që fëmijët e sotëm kanë. Dikur prindërit lodheshin për t’i mbajtur pranë ambienteve të shtëpisë edhe kur fëmijët sëmureshin sot është krejt e kundërta. Kemi fëmijë që edhe argëtimin e detit e shijojnë më shumë pranë ekraneve televizive e tabletave.
-E ka ndryshuar teknologjia jetën e tyre, fakti që gjithmonë e më pak luajnë në terren dhe gjithmonë e më tepër përpara ekranit?
Qëndrimi përpara ekraneve e ka ndryshuar totalisht cilësinë e jetës tek fëmijët e sotëm pasi atyre ju mungon dëshira për të zhvilluar imagjinatën.
Janë fëmijë që nuk lodhen emocionalisht dhe nuk shprehen emocionalisht mbi atë çfarë përjetojnë dhe ndiejnë. Të ecësh zbathur në barin e butë dhe të gjelbër nuk është e njëjta gjë si në ekranin e një tableti, por edhe të provosh të ngjitesh në pemë është ndryshe nga ajo që ti zhvillon në lojërat kompjuterike. Gjithsesi ne e dimë që fëmijët sot janë brezi i teknologjisë dhe nuk i shkëpusim dot prej saj, por mënyra e përdorimit koha e qëndrimit varet nga ne prindërit që jemi të rritur dhe të përngjeshëm për zhvillimin e fëmijës tonë.
-Ka një traditë, tashmë në shkollat tona, ditët e para, nxënësit pyetën nga mësuesit për pushimet e verës, madje shpesh, disa prej tyre e bëjnë edhe temë këtë, nxënësit duhet të shkruajnë dhe tregojnë si i kaluan ato. Ka ndonjë problem këtu?
Kjo traditë e të pyeturit të fëmijës se si i kaluan pushimet verore duhet të ndryshojë. Ne e dimë se gjendja social- ekonomike e familjeve sot nuk i lejon të gjithë fëmijët të shijojnë detin, malin apo thjesht të shkojnë me pushime me familjet e tyre.
Mësuesit duhet të ndërgjegjësohen se në klasën e tyre ka fëmijë që do të vijnë po me të njëjtat veshje ditën e parë të shkollës dhe kjo na tregon më së miri vështirësitë e familjeve në ditët e sotme. Një fëmijë i fyer i përbuzur nga shokët do të jetë një fëmijë i cili do të mbyllet në vetvete në vetminë e tij duke fajësuar botën në të cilën ka lindur dhe do t’i humbasë dëshira të jetë pjesë e klasës.
Mirë do të ishte që pyetje e parë nga mësuesit të jetë mbi planet e fëmijëve për vitin e ri akademik si e kane menduar atë dhe çfarë presin nga viti i ri shkollor. A kanë menduar për të zhvilluar projekte në grup ku të gjithë të ndjehen të aktivizuar dhe të entuziazmuar mbi idetë e tyre.
-Ka nga ato familje që kanë patur mundësi të bëjnë pushime, ka të tjera që jo, a duhet të jemi të kujdesshëm të mos vendosim në siklet fëmijët me pyetjen “na tregoni ku i kaluat pushimet”?
Mendja e fëmijës punon ndryshe nga ajo e një të rrituri pasi fëmijët e kanë të vështirë të perceptojnë pse ata nuk munden të shkojnë me pushime dhe kjo gjë e vendos fëmijën të ndihet inferior mbi mundësitë që ka familja e tij. Fëmijët formojnë një sens faji pasi mendojnë se janë ata përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet fëmija.
-Çfarë ndodh me një fëmijë që dëgjon se shoku i tij ka bërë pushime luksoze, ndërsa ai jo?
Krahasimi i fëmijëve fillon që nga prindërit pasi janë ata të cilët i mësojnë se me ke të shoqërohen dhe kjo bën që fëmija të refuzojë për shoqëri fëmijën e cili nuk ka të njëjtat kushte jetese më të. Ndjenja e përbuzjes nxit tek këta fëmijë inatin, urrejtjen gjë e cila mund t’i çojë në agresivitet e cila reflektohet në sjelljet e fëmijës.
-Me çfarë mund ta zëvendësojnë mësuesit pyetjen mbi pushimet?
Fëmijëve të sotëm ju mungojnë shprehitë sociale që janë norme e edukatës shoqërore, ju mungon socializmi, ju mungon biseda me prindërit me mësuesit (komunikimi) dhe kjo vihet re tek qëndrimet që ata mbajnë në familje por edhe në shkollë.
Loja e lirë, pasi fëmijët e sotëm po kthehen nga prindërit në robotë të kurseve të gjithëve të huaja pikturës muzikës e çfarë do gjëje tjetër. Prindërit nuk duhet të harrojnë që fëmijët kanë nevojë për argëtim jo vetëm për orare të strukturuara mire ku fëmija nuk arrin te gjejë hapësirë të marrë fryme lirisht.(Voxnews.al)