Një ngjare e rëndë raportohet nga qyteti bregdetar i Sarandës. Policia bën me dije se ka arrestuar një 59 vjeçar nga Kosova, i cili kishte apartament në Sarandë dhe jua kishte dhënë me qira gjashtë shtetasve italianë për pushime.
Mirëpo, nën pretendimin e i kishin dëmtuar disa pajisje elektroshtëpiake, 59 vjeçari u ka kyçur derën dhe u ka hequr lirinë për rreth një orë.
Uniformat blu kishin marrë njoftim se në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, një shtetas iu kishte hequr lirinë në mënyrë të kundërligjshme disa shtetasve në një apartament dhe menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
“Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.
59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.