Kathimerini
Në Athinë ka nisur të shprehet ankthi se Fredi Beleri, i zgjedhuri (por i palejuar të bëjë betimin, pasi është në paraburgim që prej 13 majit) kryebashkiak i Himarës, mund të humbasë postin e tij, si pasojë e natyrshme e metodologjisë që po aplikon në tremujorin e fundit qeveria e Edi Ramës. Është karakteristike se në darkën informale me krerët e Ballkanit Perëndimor u ftua presidenti shqiptar Bajram Begaj dhe jo Rama, pasi çështja “Beleri” është e hapur. Begaj nuk e pranoi ftesën, një fakt që duket se do të përkeqësojë më tej klimën mes dy kryeqyteteve. Madje, Athina duket se ka dashur të tregojë me këtë iniciativë, në të cilën është parashikuar të marrë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, se rruga e anëtarësimit në BE për fqinjët, kalon ende përmes Greqisë – një mesazh që për momentin i drejtohet kryesisht Tiranës.
Thuhet se Kryeministri i Shqipërisë i ofroi garanci palës greke në prapaskenë menjëherë pas zgjedhjeve të dyta greke se “çështja Beleri do të zgjidhej”. Sot kuptohet se ai thjesht mund të ketë bërë blof për të blerë kohë që të plotësohen 3 muaj paraburgim dhe të kalojë në fazën tjetër që është përjashtimi automatik i Belerit nga detyra. Sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, kryetarit të bashkisë i kërkohet të ketë një adresë banimi brenda kufijve të bashkisë së tij. Fredi Beleri tashmë ka një adresë atë të burgut të Vlorës ku mbahet, pasi çdo i burgosur pasi ka kaluar 3 muaj merr adresën e qendrës së paraburgimit.
Teknikisht”, sipas ligjit, 3-mujori përfundon të dielën e 20 gushtit. Për pasojë, Ministria e Brendshme e Shqipërisë nga e sot mund të pretendojë se Beleri nuk mund të betohet si kryetar bashkie pasi nuk jeton brenda kufijve të bashkisë së tij dhe të shkarkohet automatikisht nga detyra.
Protesta
Vendosmëria e qëndrimit të Athinës u manifestua javën e kaluar me një demonstratë në mbështetje të Belerit, në të cilën morën pjesë kryebashkiaku i Athinës Kostas Bakojanis dhe kryetari i Selanikut Konstantinos Zervas. Në konsultim me Pallatin Maximos dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ata u përpoqën t’i transferonin Edi Ramës mesazhin se Greqia nuk do ta pranojë një metodë të tillë pa shtruar pyetjen për cilësinë e demokracisë në Shqipëri.
“Demokracia nuk është e burgosur”, – tha Kostas Bakojanis, duke lënë të kuptohet se Greqia do të denoncojë Shqipërinë në institucionet evropiane dhe do të ndikojë negativisht në raportin e ardhshëm për Ballkanin që do të mbahet në tetor. Komisioneri Margaritis Schinas, pjesëmarrës në demonstratë, deklaroi se “ky rast nuk duhet të bëhet pengesë për ambiciet europiane të Shqipërisë”.
“Mesazhi është dërguar” edhe në Tiranë, por nuk është e sigurt që Edi Rama do të ndryshojë qëndrim. Çfarë është ajo ku bazohet obsesioni i kryeministrit shqiptar? Në çfarë mbështetet ai për të rrezikuar marrëdhëniet e mira deri vonë greko-shqiptare?