Zyrtarisht policia thotë se ka zbatuar ligjin dhe ndjekur të gjitha procedurat në lidhje me denoncimet e fisit Maja për dëmet e gurores që de facto shfrytëzohej nga Përparim Rraja, vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja.
Por, jozyrtarisht shkarkimi i Bledi Çuçit dhe shkrirja e komisariatit të Krujës tregon të kundërtën. Burime që kanë pasur qasje në dosjen e kallëzimit të fisit Maja pohojnë për Voxnews.al se policia jo vetëm që nuk veproi, por denoncimin e marrë para se t’ja kalonte prokurorisë, ja kaloi fisit Rraja ‘për ta zgjidhur’.
Të vënë në dijeni për këtë kallëzim anëtarë të fisit Rraja kanë marrë në telefon Jashar e Bilbil Majën duke i kanosur dhe kërcënuar që të qëndronin larg gurores së tij në të kundërt do të kishin pasoja.
Ironikisht, thonë burimet, përgjimet telefonike tregojnë se në një rast kërcënimi është bërë nga ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës, nga njëri prej anëtarëve të fisit Rraja gjatë një bisede telefonike me Jashar Majën dhe vetëm pak ditë para se ta dhunonin atë me shkopinj bejzbolli.
Pas kanosjes, Rrajat dyshohet se kanë vënë në funksion planin e nxjerrjes së Bilbil e Jashar Majës në pritë. Për realizimin e këtij plani kanë përdorur inxhinierin e gurores, që ka lënë takim në një lokal për të negociuar me ta.
Por, pak pas Bilbil e Jashar Maja janë ulur në këtë takim, nga makina kanë zbritur anëtart e fisit Rraja me armë e shkopinj bejzbolli, duke i dhunuar.
Policia e prokuroria dyshohen gjithashtu se nuk kanë vepruar pas denoncimit të fisit Maja në lidhje me guroren, duke mos verifikuar nëse ka apo jo licencë, apo nëse në terren janë zbatuar kushtet teknike të ushtrimit të aktivitetit sipas licencës së dhënë.
Verifikimet thonë burimet, formalisht janë bërë pasi u publikua video ku Jashar e Bilbil Maja dhunohen me shkopa bejzbolli. Nga këto verifikime, leja e shfrytëzimit ka rezultuar në emër të kompanisë Delia Group me pronar të vetëm Viktor Delian.
Policia nuk sqaron se cila është lidhja e Përparim Rrajës me këtë gurore, sa kohë zyrtarisht ai nuk figuron me asnjë dokument i lidhur me kompaninë në fjalë.
Po ashtu, leje e shfrytëzimit e dhënë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore ndalon përdorimin e lëndëve shpërthyese, ndërsa në terren nuk është respektuar as hapësira e ushtrimit të aktivitetit, pasi njolla e shfrytëzimit ka dalë jashtë hartës së miratuar nga AKBN.