Çfarë e shqetëson bizesmenin Samir Mane që ka nisur një PR kaq agresiv për veten?
Nga Gazeta Korrieri
Samir Mane është “zgjuar” tashmë. Të paktën sa i përket Marrëdhënieve me Publikun, ose siç duan ta quajnë elitat në Unazën e Vogël fare të Tiranës, PR.
E kemi fjaën për atë Unazën e Vogël brenda së cilës janë ndërtuar kullat dhe gëlon korrupsioni, pastimi i parave dhe ku mbretësojnë oligarkët si Shefqet Kastrati dhe Samir Mane.
Por, ndërkohë që Kastrati vijon i pashqetësuar (deri tani) gllabërimin e pronave publike, siç janë edhe portet dhe bazat ushtarake, të cilat me gjasë do ta rrasin edhe brenda, Samir Mane ka vendosur të ndryshojë mënyrën se si e perceptojnë shqiptarët.
Ai nuk do të shihet më si Samir Oligarku që ka shkatërruar konkurrencën në treg, që të sjell prokurorinë për të të grabitur biznesin apo që të fut në burg nëse përmes shitjeve online konkurron Aladinin e tij të famshëm, apo që i kanë vdekur kushedi se sa minatorë në Bulqizë, apo që shkon e vë në rresht ministrat për t’i çuar rrugën me tunel madje te fshati i tij turistik në Palasë, apo që kërcënon fshatarët e Palasës për t’ marrë tokën.
S’do të mbahet mend edhe si biznesmeni që hodhi dhjetëra punonjës të SCAN TV në rrugë pasi bleu televizionin thjesht për tokën ku ishte godina, mbi të cilën do të ndërtojë kulla.
Mane tashmë ka vendosur që shqiptarët ta shohin si burrë babaxhan, që bëri para të madhe në Austri, të cilën më pas e investoi në Shqipëri. Si terma të dëgjuar këto! A ju kujtohet çfarë thoshte Rrapush Xhaferri në atë vizitën e famshme në Përmet?
Po ashtu, Mane do që shqiptarët ta njohin si biznesmenin që ka gjetur çelsin e kapitalizmit shqiptar, që thith investime të huaja. Po ashtu, do që shqiptarët ta njohin si filantrop, që ndihmon njerëzit në nevojë.
Jo më kot kohët e fundit ai bashkë me mediat që i ka nën kontroll direkt përmes pronësisë indirekte apo edhe ato ku paguan para të majme me reklama, kanë filluar të nxjerrin kronika, intervista dhe postime ku Mane paraqitet si burrë i mirë.
Gjatë javës së fundit ai është shfaqur dhunshëm të paktën tre herë nëpër media duke dashur të çimentojë idenë e filantropit dhe burrit familjar që i dhemb shpirti kur sheh se si vuajnë të tjerët.
Hera e parë, në fakt ishte një intervistë pa kontekst, pra doli nga hiçi, Mane shfaqet përballë Fevziut ku në kulmin e zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit, Tv Klan i jep atij gati 2 orë në prime time, fasha kohore më e shtrenjtë, sidomos për një TV kombëtar.
Tre ditë më vonë ai u shfaq të Arditi, në mes të një emisioni super të shikuar duke ndihmuar me një shtëpi një familje në nevojë.
Hera e tretë ishte sot ku nxjerr një foto me Myrto Uzunin e famshëm, të cilin e përdor edhe për marketing për fshatin e tij turistik.
Në të tre rastet duket se Mane ka dalë me qëllime të qarta PR, ajo që nuk dihet ende është se çfarë e ka shtyrë biznesmenin më të madh në vend që të ndërmarrë një fushatë kaq agresive PR ndaj vetes?
A po përgatitet ai për diçka të madhe në raport me veten dhe bizneset e tij? Ku kërkon të dalë përmes kësaj fushate agresive PR? A lidhet kjo me ndonjë listë të re non gratash nga ndonjë ambasadë perëndimore (jo amerikanët), e cila u tha se do të dilte pas zgjedhjeve të majit..dhe do të kishte në të politikanë dhe biznesmenë?