Skandal në portin e Durrësit, vartësit e Piro Vengut, Urim Nela dhe Alket Malo rrjepin institucionin ku punojnë, SHKARKOHEN
Shkarkimi i dy zyrtarëve të rëndësishëm në Portin e Durrësit mund të jetë fija që zbërthen spiralen e një abuzimi, ku përfshihen dhjetra zyrtarë dhe nuk përjashtohet as drejtori i Përgjithshëm, Pirro Vengu, si edhe individë të tjerë të rëndësishëm e instanca të tjera shtetërore.
Mësohet se ditët e fundit janë shkarkuar nga detyra dy nga drejtorët më të rëndësishëm të Autoritetit Portual Durrës.
Drejtori i Operacioneve Portuale, Urim Nela dhe Drejtori i Financës, Alket Malo, prej pak ditësh kanë humbur pozicionet e tyre, nën dyshimet se kanë abuzuar me detyrën.
Mësohet se Nela dhe Malo kishin krijuar prej kohësh një “strukturë paralele” me Portin e Durrësit.
Dy drejtorët, si edhe persona të tjerë në bashkëpunim me ta, ofronin “shërbime private” të njëjta me ato që ofrohen nga administrata e Portit të Durrësit.
Sipas të njëjtave burime, nëpërmjet kësaj skeme, Nela dhe Malo u kanë marrë, në mënyrë abusive, klientët institucionet ku punonin.
Në këtë skemë dyshohet se janë implikuar edhe agjenci doganore që veprojnë në Portin e Durrësit, por edhe institucione të tjera, sidomos ato që mbikqyrin dhe gjurmojnë veprimtarinë operacionale në Portin e Durrësit.
“Boldnews.al” nuk arriti të konfirmojë zyrtarisht këto të dhëna në institucionet përgjegjëse. Megjithatë, burime alternative nga brenda Portit të Durrësit konfirmuan se dy drejtorët, Urim Nela dhe Alket Malo, janë larguar nga puna për shkak të abuzimit nga detyra.
Shkarkimi i tyre është kryer në heshtje të plotë, ndërkohë që, të paktën deri më tani, nuk ka asnjë referim në organet ligjzbatuese, në Polici ose në Prokurorinë e qytetit bregdetar.
Burime nga kjo e fundit deklaruan për “Boldnews.al” se, të paktën deri këtë të Martë, nuk është referuar ndonjë material për Nelan dhe Malon.
Duket se skandali po mbahet brenda mureve të Autoritetit Portual të Durrësit. Institucioni i drejtuar aktualisht nga Pirro Vengu ka qenë prej vitesh nën monitorim për sjellje abusive dhe kriminale të punonjësve të saj.
Porti i Durrësit është hyrja më e madhe tregtare e Shqipërisë dhe, rrjedhimisht, mundësitë për abuzime që lidhen me korrupsionin, kontrabandën e trafiqet.
Megjithatë, skema që dyshohet se është ngritur nga dy drejtorët e shkarkuar dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tyre, është disi e rrallë, ku zyrtarët më të lartë të institucionit konkurojnë me vetë institucionin. /bold