Qeveria shqiptare ka vendosur të shtyjë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë që skadojnë më 14 maj, ose kanë skaduar para këtij afati. Sipas ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ky vendim u mor për të lehtësuar procesin e votimit në zgjedhjet e 14 majit.
“Duke parë numrin e madh të dokumenteve që skadojnë deri në datën 14 maj, vendosëm që ta shtyjmë afatin dhe në këtë mënyrë të gjithë shtetasit mund të votojnë në datën 14 maj pavarësisht se dokumenti i tyre ka skaduar”, tha Çuçi në një konferencë për mediat.
I pyetur nëse do të ndryshojë çmimi i dokumenteve të identitetit pasi të përfundojë koncesioni dhe kompaninë prodhuese ta marrë në kontroll shteti, ministri tha se është një çështje që do të vlerësohet.
“Ajo nuk është lidhur fare me çmimin. Është një marrëdhënie kontraktore me kompaninë që mbaron në fund të korrikut dhe ne si qeveri dhe unë si ministër i Brendshëm do të përfundojmë kontratën dhe do të marrim në dorëzim kompaninë. Pastaj, vendosja e çmimit, pasi ne ta marrim në administrim këtë kompani, është çështje që vendoset. Jemi më fleksibël për të ndryshuar çmimin, se sa më parë. Por jo domosdoshmërish kjo lidhet me ndryshimin e çmimin. Pa diskutim që për dokumentet do të shohim hapësirat tona për t’ia lehtësuar në maksimum shtetasve”, tha Çuçi.