Ende pa zbardhur mëngjesi i të mërkurës së 25 shtatorit 2024, forcat e policisë së Shtetit zbarkuan para vilës luksoze të vëllezërve Farruku në Manëz të Durrësit.
Një vilë e kushtueshme, e rrethuar me mure të larta dhe me pishina, jo fort e zakonshme për zonën, por që dëshmon prestigjin e grupit kriminal Farruku që operon prej më shumë se një dekade në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt porteve të Europës.
Ndaj Kreshnik Farrukut alias Budlla, i konsideruar si kreu i një grupi kriminal dhe 11 personave të tjerë, ishin firmosur urdhër-arreste nga drejtësia italiane, pasi dyshohen për akuzat e trafikut të narkotikëve, pastrimit të parave dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha.”
Forcat speciale hynë në brendësi të vilës, brenda së cilës nuk u gjend askush. Gjasat janë që aksioni mund të jetë dekonspiruar. Këtë e dëshmon një detaj krejt i thjeshtë.
“Në një nga ambientet e vilës ishte ende e shtruar darka. Duket se ndonjë sinjalizim i ka larguar prej aty të dyshuarit, për shkak se në tavolinë u gjet dhe sekuestrua një celular. Telefoni ishte i ndezur,” tha një burim i informuar rreth operacionit.
Në shtëpinë e një prej bashkëpunëtorëve të Farrukut, F.B, policia mundi të gjejë dhe sekuestrojë 26 celularë, por të dyshuarin nuk e arrestoi dot. Nga 12 urdhër-arreste vetëm 2 prej tyre u ekzekutuan. Në pranga përfunduan Arjanit Maloku dhe Jurgen Kacurri.
“Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë. Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër,” njoftoi SPAK.
Sipas prokurorisë së posaçme, grupi kriminal i drejtuar nga Kreshnik Farruku Budlla pastronte para përmes një rrjeti kompanish të drejtuara nga një organizatë italo-kineze.
“Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë euro.” Gjatë hetimit të kryer nga Italia janë sekuestruar 360 kg kokainë me vlerë 60 milionë euro.
Kreshnik Farruku (Budlla) konsiderohet si një prej narkotrafikantëve më të mëdhenj në vend dhe ka investuar miliona euro në Spanjë. Farruku, i cili ka përdorur disa emra dhe mbiemra, u arrestua në 2019 në Spanjë, bashkë me vëllain dhe një pjesëtar tjetër të fisit.
Sipas mediave spanjolle, Kreshnik Farruku Budlla (Budlla është mbiemri i bashkëshortes) dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Më vonë, nga hetimet u zbulua se vrasjen në fjalë e kishte organizuar Devi Kasmi, i cili u ekzekutua në janar të 2018 në Tiranë.
Më herët, në 2010 Kreshnik Farruku ishte arrestuar për trafik droge, ndërsa 4 vite më vonë u arratis nga burgu.
Kreshnik Farruku iu ka mbijetuar disa atentateve, njërit prej të cilëve në vitin 2015 në zonën e Don Boskos, ngjarje që dyshohet se ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Në 2012, gjykata e Durrësit sekuestroi disa pasuri në emër të babait dhe vëllait të Kreshnik Farrukut, me vlerë 1 milion euro, që dyshohet se rridhnin nga aktiviteti kriminal i trafikut të kokainës. Fisi Farruku është në përplasje të forta me fisin Kërtalla po nga Durrësi.
Pavarësisht se asnjë prej Farrukëve nuk është arrestuar, hetimi i prokurorisë italiane i koordinuar bashkë me Europol dhe EuroJust, si dhe SPAK, e ka ekspozuar për herë të parë fuqinë e madhe të grupit kriminal, jo vetëm në peshën që mban në trafikun e kokainës, por edhe fuqinë financiare.