Fredi Alizoti, dëshmitari kyç i cili përmes rrëfimit të tij të dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ktheu përmbys dosjen “Babale”, duke treguar se përgjimi për Geron Xhafajn, ishte një sajesë mes Albert Veliut të njohur si Babale dhe vetë atij, rezulton të jetë rrahur barbarisht nga Behar Bajri dhe anëtarët e grupit të tij, në Shkodër.
Gazetari Elton Qyno raporton për Ora News se sipas bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky” rrahja ka ndodhur në lagjen “Dobraç” të Shkodrës, më 3 korrik 2020. 4 ditë pasi Behar Bajri ishte liruar nga burgu, Alizoti ishte paraqitur në lagjen e tij dhe e kërkonte për ta takuar. Alizoti është kapur nga anëtarët e grupit dhe është rrahur barbarisht.
Një fakt i tillë del gjatë dy bisedave që Bajri zhvillon me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ku mes komunikimeve të zhvilluara në aplikacionin “Sky” të datës 3 korrik 2020, Behari e pyet Pëllumbin nëse e njeh Alizotin.
Pëllumb Gjoka i dërgon në “Sky” një foto të Fredi Alizotit, kur ka dalë para gjykatës së Tiranës për masën e sigurimit “arrest në burg” në dosjen “Babale” dhe i thotë ta përzërë nga lagjia e tij pasi e konsideron spiun. /Korrieri