Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull shqiptarëve të cilët kanë kaluar Kanalin Anglez dhe tashmë kanë krijuar banda kriminale që prodhojnë dhe shesin lëndë narkotike, veçanërisht kanabis në Britaninë e Madhe.
Sipas medias britanike, shqiptarët kryesisht janë punësuar si “fermerë” në shtëpitë e krijuara për të prodhuar kanabis, të cilat ose janë marrë me qira ose ndodhen në ndërtesa industriale, por që tashmë janë boshatisur dhe janë kthyer në “ferma kanabisi”.
Në vetëm 12 javë, shqiptarët mund të përfitojnë deri në 2 milionë paund nga shitja e lëndës narkotike. Bandat kanë krijuar një kanal privat në rrjetin social “Telegram”, ku pjesë e tij janë 700 persona, dhe sipas autoriteteve ata ndajnë informacione për të shitur prodhimin e tyre.
Bisedat mes tyre janë të fokusuara në llojin e kimikatëve që i ndihmon bimët të rriten më shpejta si dhe për mënyrën e duhur sesi duhet të korren, çmimi që duhet të shiten në treg dhe armët që duhet të përdorin për të mbrojtur prodhimin e tyre nga bandat rivale.
Sipas disa mesazheve në grup, në disa grabitje të ndodhura punëtorëve iu janë prerë gishtat nga rivalët. /Korrieri