Ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri dhe familjarët e tij, të cilëve SPAK u ka sekuestruar pasuritë, kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar lirimin e pasurive nga masa e sekuestros. Prokuroria e Posaçme njoftoi në maj të këtij viti se kishte vendosur në sekuestro pasuri me vlerë 3 milionë euro në pronësi të Oltion Bistri, i arrestuar më herët me akuzën e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale.
Ndaj Oltian Bistri dhe familjarëve të tij janë sekuestruar pasuri përfshi 22 njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1 vilë në rezidencën “Green Valley”, 200 metra truall në kryeqytet, një garazh dhe një makinë.
SPAK ka mbyllur hetimet për Oltion Bistrin në kuadër të operacionit Metamorfoza, ku ish-shefi i operacionales i shërbente biznesmenit Pëllumb Gjoka, në veprimtari të paligjshme. Bistri akuzohet për korrupsion, zbulimin e të dhënave sekrete, si dhe pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale. Ndaj tij ka rënë akuza për pjesëmarrje në grup kriminal. /Korrieri