Plani i kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti të ri bektashi në Shqipëri ka bërë jehonë edhe në Turqi, në vendlindjen e kësaj feje. Mediat turke kanë pasur përplasje në shkrimet e tyre, ku disa e kanë parë njëlloj si vetë Rama, një nismë për të nxjerrë në pah traditën shqiptare të bashkëjetesës fetare, e disa të tjera e kanë kundërshtuar.
Ja cfarë shkruan Hurriyet Daily News, një nga mediat më të njohura turke:
Kryeministri Edi Rama konfirmoi përpara liderve botërorë planin për të krijuar një “Shtet Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë, për të “promovuar një version tolerant të Islamit për të cilin Shqipëria është krenare”. Rama zbuloi vizionin e tij për një enklavë të stilit të Vatikanit por për besimin bektashi, një degë e islamit.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë”, tha Rama duke theksuar synimin e nismës për të nxjerrë në pah traditën shqiptare të bashkëjetesës fetare.
Shteti i propozuar, pritet të jetë sa një e katërta e Vatikanit, do t’i mungojnë tiparet tradicionale sovrane si ushtria, rojet kufitare ose gjykatat. Rama tha se planet do të shpallen së shpejti, por zbatimi do të marrë kohë.
Kryeministri pranoi se disa aleat të afërt ishin në dijeni të planit, ndërsa aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në, ishin ende të pa informuar.
“Zoti nuk ndalon asgjë, prandaj na dha mendjen”, tha kleriku Edmond Brahimaj, i njohur si Baba Mondi, duke shpjeguar se si ai synon të sundojë mbi një toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta shëndërrojë në një shtet sovran me administratën, pasaportat dhe kufijtë e vet.
“Të gjitha vendimet do të merren me dashuri dhe mirësi,” tha Baba Mondi, një ish-oficer i Ushtrisë Shqiptare, i cili nderohet nga miliona njerëz në mbarë botën me titullin e tij zyrtar, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Baba. Ai është udhëheqësi kryesor i Bektashinjve. Të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë në Shqipëri treguan se bektashinjtë përbënin 115,000 nga 2.4 milionë banorët e vendit.
Kryeministri Edi Rama prezantoi edhe në OKB planin për të shpallur Urdhrin e Bektashinjve në Tiranë, si një shtet sovran brenda territorit të Shqipërisë. I pranishëm në Selinë e Kombeve të Bashkuara, Rama përsëriti deklaratën që dha për New York Times, duke shtuar se burimi i frymëzimit për këtë nismë është bërë Shënjtorja Nënë Tereza. Sipas kryeministrit, një shtet sovran brenda Tiranës, do të jetë një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë. Nga ana tjetër dhe vetë Selia Botërore e Bektashinjve ka mirëpritur shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht Sovran. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik. E vetmja gjë që synojnë, sipas reagimit zyrtar, është liria për të vazhduar traditën e moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare