Qani Alibej, daja i Endrit Alibejt (Dylgjerit) ishte planifikuar që të vritej në shtator të vitit 2020, në Elbasan. Për “kokën” e tij paguhej 300 mijë euro nga Hajdar dhe Franc Çopja. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur bisedat e planit të thurur mes Franc dhe Hajdar Çopjas, Mikael Qosjas, Leonardo Ramanit dhe një personi tjetër të paidentifikuar.
Më 01.09.2020, Franc Gergely (Çopja), i kërkon personit të paidentifikuar që të flasë për “atë robin” për ekzekutimin e Qani Alibejt, i cili në dosje përmendet edhe me nofkën “Doni”. Në këtë bisedë i jep edhe shumën që do paguhet për vrasjen dhe arsyeton se është një shifër e ulët pasi shënjestra ishte “objektiv i lehtë”. Këtij të fundit, ia kishin mësuar të gjitha lëvizjet. Vetë Franc Çopja e njofton se Alibej del çdo ditë paradite nga shtëpia, madje mund t’i treonte edhe vendet ku qëndronte në Elbasan.
“Dy janë mundësi që duhen parë, kur ai del nga shtëpia në mëngjes ose kur ikën për në Peqin,”-i shkruan Çopja.
Nga ana tjetër, edhe Hajdar Bako flet me persona të paidentifikuar që e informojnë se Doni ka marrë masa për sigurinë e tij duke shtuar kamerat në zonat që frekuentonte. Këtë bisedë, Hajdar Bako (Çopja) ia dërgon Mikael Qosjas, të cilit i dërgon edhe mesazhin: I paska ardh Donit dita me ik te Indriti (Endrit Alibej).
Gjithçka dukej gati! Madje më 26.08.2020, Mikael Qosja dhe Leonard Ramani flinin për armët që përdoreshin në atentat.
“Tomsonat do duhen me ngordh nai qen rrugësh,”-shkruhet në mesazhe dhe nga konteksti i kësaj bisede kuptohet se armët të llojit “Tomson” do përdoren për vrasjen e Donit (Qani Alibej). Por 4 vite më vonë, fatmirësisht asgjë nuk ka ndodhur. Nuk dihet se përse janë tërhequr palët nga plani ose nëse nëse ka pasur ndonjë tentativë për vrasjen e Donit, e cila mund të ketë dështuar.