Sulmi masiv kundër Hezbollahut në Liban ka kthyer në qendër të vëmendjes “Njësinë sekrete 8200” të Izraelit , që sipas mediave vendase ishte përfshirë në planifikimin e operacionit. Zyrtarët izraelitë kanë qëndruar të heshtur ndaj operacionit të inteligjencës që vrau 12 persona të martën kur radiot e dorës të përdorura nga Hezbollah shpërthyen.
Sipas një burimi të Reuters, agjencia izraelite e spiunazhit Mossad ishte përgjegjëse për një operacion të sofistikuar për të vendosur një sasi eksplozivi brenda 5,000 radiove të porositura nga Hezbollah.
“Njësia 8200”, një njësi ushtarake që nuk është pjesë e agjencisë së spiunazhit, ishte përfshirë në fazën e zhvillimit të operacionit. Burimi tha se “Njësia 8200”ishte e përfshirë në anën teknike të testimit se si ata mund të futnin materiale shpërthyese brenda procesit të prodhimit.
Yossi Kuperwasser, një ish-zyrtar i inteligjencës ushtarake dhe tani drejtor kërkimi në Forumin e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Izraelit, tha se nuk kishte asnjë konfirmim se njësia e inteligjencës ushtarake ishte e përfshirë në sulm.
“Njësia 8200” është si pjesa tjetër e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë, kjo njësi mori një pjesë të fajit për dështimin në zbulimin e sulmit të Hamasit të 7 tetorit në Izraelin jugor. Komandanti i saj javën e kaluar tha se po tërhiqej. Në letrën e dorëheqjes së tij të transmetuar nga mediat izraelite ai tha se nuk e kishte përmbushur misionin e tij.
Njësia është e famshme për një kulturë pune që thekson të menduarit jashtë kutisë për të trajtuar çështje që nuk janë hasur ose imagjinuar më parë.