ELBASAN- Akademia e Futbollit të Elbasanit tashmë i ka kaluar kompanisë “Blaed Trade”. Kjo kompani, e cila është e specializuar në pajisje elektrike dhe hidraulike me seli në Lezhë tashmë zotëron 70% të aksioneve të Akademisë së Futbollit. Edhe pse kjo kompani nuk ka lidhje me futbollin, sërish fitoi ankandin e zhvilluar nga Bashkia e Elbasanit në Maj të vitit 2024. Por sa u blenë aksionet? Për 70% të zotërimit, nga kompania janë paguar 14.127.000 lekë të reja.
Por problemi i vetëm nuk është blerja nga një kompani që nuk ka lidhje me futbollin. Përkundrazi, ky është problemi më i vogël që mund të ishte parandaluar thjeshtë duke vendosur një kriter në ankand. Problemi tjetër është fakti se me hapjen e ankandit, në 11 Mars të këtij viti, Bashkia e Elbasanit e nisi procedurën me vlerën e 13.838.650 lekëve të reja. Shifër kjo shumë herë më e ulët se ajo që ka investuar Bashkia e Elbasanit për ngritjen dhe zhvillimin e Akademisë së Futbollit.
Referuar të dhënave të portalit informativ “spending.data”, rezulton se, duke nisur nga shtatori 2021, Bashkia e Elbasanit ka paguar plot 37.100.000 lekë të reja. Nga të gjitha këto para që janë nxjerrë nga buxheti i Bashkisë, mbrapsht janë marrë vetëm 14 milionë lekë të reja. Pra, shkurt e thjeshtë, ka humbje në buxhetin e Bashkisë!
Kush është pronari i “Blaed Trade”?
Shoqëria “Blaed Trade” është krijuar në vitin 2009, me seli në qytetin e Lezhës. Zyrtarisht, pronare me 100% të aksioneve të kësakj kompanie është Armelinda Krasniqi, e cila pasoi si pronare Arben Gjoshin. Më adresë në Zejmen Tresh të Lezhës, për më shumë se 15 vite, kompania nuk kishte lidhje me sportin. Ndaj ngre dyshime për këtë interes të shtuar ndaj Akademisë së Futbollit në Elbasan.
Për më tepër, pse në janar të këtij viti, 2 muaj para se të hapej ankandi nga Bashkia e Elbasanit, shoqëria “Blaed Trade” vendos të modifikojë objektin e veprimtarisë së saj, duke përfshirë edhe angazhimin në evente sportive.
KONTRATA
“Organizimi i eventeve sportive dhe komercializimi (marketingu aterialeve, pajisjeve sportive). Menaxhimin e të drejtave të imazhit të shoqërive sportive. Kujdestarinë (ruajtjen) shitblerjen, të drejtën për të marrë hua (huazim) dhe në përgjithësi negociimin e të drejtave sportive, federative e publicitare të sportistëve. Përfundimi i kontratave për transferimin e lojtarëve si dhe shfrytëzimin e imazhit të lojtarëve. Shitblerjen e pasurive të lidhura me aktivitetin e karakterit sportiv të shoqërisë. Blerja, mbajtja, transferimi dhe shfrytëzimi i të drejtave objektive federative, të publicitetit, të drejtat e pronësisë dhe ekonomike të lidhura me performancën sportive të sportistëve.”
Të gjitha këto detaje ngrenë dyshime lidhur me qëllimin e vërtetë për këtë blerje.
Po ashtu, “Boldnews.al” ka bërë me dije se vetëm disa ditë më parë, si pronar i ri i Akademisë së Futbollit të Elbasanit është prezantuar K.LL, një biznesmen që nuk ka asnjë lidhje të dukshme me kompaninë fituese të ankandit. Edhe pse nuk e bëjnë me dije identitetin e tij të plotë, media bën me dije se K.LL. në fakt është një person që më herët ka pasur në pronësi një prej kompanive kryesore të basteve që operonin në Shqipëri para se të ndaloheshin me ligj.
“Të paktën dy burime nga stafi i Akademisë së Futbollit kanë konfirmuar për redaksinë se K.LL. ka marrë frenat e shoqërisë sportive,”-shkruan media.
Se kush është ky personazh, mbetet që të mësohet. Ndërkohë deri më tani lidhur me atë që është publikuar në media, nuk ka asnjë sqarim nga Bashkia e Elbasanit. Sa për të sqaruar shifrën e ulët që vendosën si dysheme për shitjen e aksioneve, për të cilat kishin investuar shumë.