Policia e Tiranës ka gjobitur çiftin e njohur të rrjeteve sociale, Hatixhe dhe Jashar Stojku, për tejkalim të shpejtësisë tej normave të lejuara. Në kuadër të ligjit, çiftit po ashtu u është sekuestruar edhe makina luksoze tip “Porsche”, me të cilën të dy po udhëtonin nëpër kryeqytet. Por në vend që të kërkojë falje, apo të tregojë pendesë për sjelljen e saj, Stojku ka zgjedhur ironinë për uniformat blu. Madje shtoi se po bëhet gati për blerjen e saj luksoze të radhës.
“Bravo Policia për punën e lodhshme dhe të pandalur. Keni kapur kriminelen më të ‘fojt’ sot për sot. Jemi që jemi, po shikojmë për makinën e radhës. Apo ikim jetojmë në Dubai?,”-shkruan ajo në videot e postuara në rrjetet sociale.
DENONCIMI I KORRIERIT DISA DITË MË PARË
Pra asnjë ndjesë publike për sjelljen e saj edhe pse është në shkelje të ligjit! Dhe nuk po flasim vetëm për tejkalimin e limitit të shpejtësisë. Në fakt, me ligjin e ri të ndryshuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka vendosur një rregull për të gjithë shoferët e rinj. Siç e ka vendosur DPSHTRR, të gjithë ata që marrin patentën e kategorisë B, dy vitet e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike, referuar masës bosh, më të madhe se 55 KW/TON.
Stokju është vetëm 18 vjeç, kështu që në bazë të ligjit shqiptar, nuk i lejohet që të drejtojë një mjet me aq kuaj fuqi sa është “Porche”, me të cilën ajo është parë shpesh herë në publik.