I ndjeri Florenc Muka, iu nënshtrua operacionit në Gjermani.
Ky fakt, nuk u prit mirë nga mjekët e Onkologjikut në Tiranë, që sipas rrëfimit të nënës, i mohuan trajtimet post-operatore.
Familja u detyrua të shesë gjithçka për të siguruar kimio-terapinë e djalit tëri.
Flakonët bliheshin në një farmaci pranë spitalit.Me gjasë, mund të kenë qenë medikamentet e blera nga shteti që janë vetëm për përdorim spitalor.
Skandali që plasi së fundi, zbuloi se në farmacitë e lidhura me mjekët, shiteshin medikamente që nxirreshin nga spitali.
“E mori doktoreshë Alketa Pere, kimioterapinë e parë të dytë të tretë të katërt dhe të pestë i kam blerë të gjitha në farmaci jashtë spitalit një farmaci përbri spitalit në krahun e majtë ku aty janë semafora kur vjen nga rruga Bardhyl edhe më tregonte edhe farmacinë. Vajta te depo e spitali aty ishte një zonjë, duke dalë tek dera ishte një çun nga Instituti dibran, që punonte aty më përshëndeti, nuk e dinte pse isha aty, shkoj te farmacia për të pyetur sa kushton kimioterapi, kur hy aty kam parë këtë djalë me dy qese plot ilaçe që po hynte te farmacia, i thash çfarë bëhet kështu, të lutem Bukurije se jam në punë. Mbylla gojën, bleva ilaçet. Ka pasur raste që i kam bërë edhe ujë me sheqer një djalë që luftonte me jetën”, u shpreh Bukurija, nëna e pacientit.
Mes lotësh, kjo nënë rrëfen se djali do të ishte gjallë, nëse nuk do t’i ishte fshehur diagnoza në Gjermani, ku ka ngritur një padi. Për më tepër, mohimi i terapisë së rregullt në Shqipëri e agravoi situatën.
“Mjekët i thanë se fatale për ty ka qenë lëvizja që ti ke ikur nga Gjermania, sepse në gjermani me dy ose 3 kimio do ishe shumë mirë dhe do të shkoje 100 vjeç. Fatale për ty ka qenë edhe onkologjiku i Shqipërisë çfarë kimioterapie të kanë bërë që ty nuk të është mbytur asnjë qelizë, ti je në gjendje shumë të keqe”, u shpreh Bukurija, nëna e pacientit.
Kur përshkruan momentet e qëndrimit 6 mujor në spitalin Onkologjik ajo flet për shifra të larta që iu ka paguar mjekëve, në të kundërt nuk kujdeseshin për pacientin.Ky është vetëm një denoncim, por kjo nënë që humbi djalin në moshë fare të re, na tregon se rastet janë të shumta nga çfarë ka parë atje.
“I kam bërë djalit 5 kimioterapi aty, kam parë një terr në spitalin onkologjik, kam fjetur 20 ditë vetë aty me djalin, ku dera mbyllej me një gurë pas. Ishin mbi 7 veta të sëmurë në një dhomë dhe secili kishte një shoqërues. e imagjinon çfarë tmerri. Me një paedukatë duke më thënë që e ke çuar djalin në gjermani, se janë doktorat më të mirë në Gjermani e jashtë shtetit, se keni sjellë këtu çfarë kërkon nga unë”, u shpreh Bukurija, nëna e pacientit./TCh